English

Berisha premton rritje të re pagash për arsimtarët

Elbasan, 8 Shkurt NOA - "Mësuesit e mbarë Shqipërisë gjatë këtyre katër viteve do të jenë në epiqendër të reformës së arsimit". Premtimin e bëri kryeministri Sali Berisha pasi mori pjesë sot në ceremoninë e inaugurimit të shkollës 9 - vjeçare "Qamil Guranjaku", në qytetin e Elbasanit.

Ky është një investim me vlerë 61 milionë lekë, ndërsa pajisjet e saj kanë kushtuar rreth 20 milionë lekë.

Në këtë ceremoni, Kryeministri Berisha shoqërohej nga ministri i Arsimit Myqerem Tafaj, ministri i Brendshëm Lulzim Basha, deputetë të qarkut të Elbasanit, etj.

Pas ceremonisë së inaugurimit, Berisha u takua me stafin pedagogjik të kësaj shkolle, të cilët i garantoi se edhe gjatë këtyre katër viteve arsimtarët do të jenë në epiqendër të reformës së arsimit.

"Ne e marrim arsimin si çështjen më serioze, sepse për një komb nuk ka asgjë më serioze se arsimi", - tha Berisha.

Kurse theksoi se "trajtimi i mësuesve, pagat dhe trajnimi i tyre përbëjnë shtyllën më kryesore të reformës në arsim".

Berisha shprehu bindjen se gara e dijes do të mbetet ende promotori kryesor i ecjes sonë me shpejtësi drejt të ardhmes evropiane.

"Sot ne kemi 135 mijë studentë në universitete, prej të cilëve 120 mijë në universitetet publike dhe 15 mijë studentë në universitetet private, por duhet të shkojmë tek 150 mijë studentë", u shpreh Kryeministri.

Gjithashtu, Berisha theksoi se duhet të rendet edhe pas cilësisë në arsim. "Duhet të rendim pas cilësisë në përgatitjet e mësuesve, në kualifikimin e vazhdueshëm të tyre dhe për cilësinë në kërkimin shkencor në universitete".

Berisha vërejti se në universitete mbetet problem serioz numri i pedagogëve për studentë: "Duhet të rritet numri i pedagogëve dhe duhet ta sjellim atë në nivelin e grupit të vendeve të zhvilluara. Gjithashtu, është ulur dhe do të vazhdojë të ulet edhe numri i nxënësve për mësues", u shpreh Kryeministri.

f.sh/NOA

KOMENTE