Elbasan, 8 shkurt, NOA - U premtonte raport mjekësor, kundrejt një sasie parash personave të cilët aplikonin për të përfituar kemp, por është zbuluar nga forcat e policisë dhe tashmë ndaj tij është ekzekutuar masa e "arrestit në shtëpi".
Fjala është për një infermier nga qyteti i Elbasanit, me emrin Kujtim Qamili, i cili u zbulua në sajë të aksionit policor të koduar "Raporti i fundit".
Bëhet me dijeni se ai mbante detyrën e infermierit në poliklinikën e Specialiteteve në Elbasan, ku konkretisht merrej me mbledhjen e dokumentacioneve për komisionet e kempit.
Ndaj tij, është marrë masa e sigurimit "Arrest në shtëpi" për veprën penale të parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal "Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike".
Në lidhje me këtë vepër penale, po punohet për sqarimin e dokumentimin e plotë të kësaj ngjarje si dhe identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë së personave të tjerë të implikuar në këtë çështje.
n.e/NOA