Tiranë, 8 shkurt, NOA - Pozicionimi në renditjen e grupit D ku bëjnë pjesë skuadrat e Francës, Rumanisë, Bjellorusisë, Bosnjes dhe Luksemburgut për kampionatin "Europiani 2012", përbën një sfidë të vështirë për Shqipërinë. Një fakt të tillë e ka pohuar gjatë një konference për shtyp, trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit, kroati Josip Kuzhe.
"Për të thënë objektivat e ekipit Kombëtar nuk është aq e lehtë, pasi si trajner duhet të jem realist dhe në të njëtjën kohë, duhet të jem pozitiv në mendimin tim. Nëse do të flas në mënyrë reale mund të them që futbolli shqiptar është në vazon e pestë dhe për të qenë sa më real objektivi është që ne të përmirësojmë vendin tonë në në renditjen. Pra arritje për ne mund të quhet të arrijmë vendin e katërt apo të tretë. Gjithsesi mendoj se po të punojmë në një atmosferë të mirë dhe pozitive skuadra mund të arrijë disa rezultate mjaft interesante", u shpreh Kuzhe.
Më pas, ai shtoi se vetëm nëse i marrim ndeshjet një nga një mund të kemi një objektiv të saktë për Kombëtaren. Duke përfunduar se menjëherë pas shortit, pala shqiptare u përpoq të ndërtonte strategjinë për kalendarin e ndeshjeve.
"Në 19 shkurt do të shkojmë në Luksemburg ku do të vendosim se cilët kundërshtarë do të kemi të parët", tha Kuzhe lidhur me një fakt të tillë.
n.e/NOA