English

Minatorët, Berishës: Statusin, ose do kthejmë Tiranën në Çikago

Tiranë, 8 Shkurt NOA/ Blerina Ahmetaj - Saga e minatorëve duket se nuk ka mbaruar ndonëse ligji për moshën e pensionit për këtë kategori tashmë ka marrë miratimin e qeverisë e kuvendit.

Përfaqësuesit e sindikatës së minatorëve vazhdojnë të këmbëngulin për miratimin e statusit të minatorit i cili do të zgjidhte përfundimisht kërkesat ekonomike të punonjësve të nëntokës për pension deri në moshën 50 vjeç me 10 vite pune, me një shumë prej 20 mijë lekë të reja.

"Nga bisedimet që kemi bërë menjëherë pas ardhjes në detyrë të Dritan Priftit, si ministër i Energjetikës, na është thënë se kërkesa jonë për statusin është e drejtë por për miratimin e tij duhet ngritur një grup pune ndërministror me qëllim diskutimin e draftit që kemi hartuar. Kompetencat për këtë i ka vetëm kryeministri Berisha. Ndaj ne e kemi pasur të qartë në protestat tona kur i kemi kërkuar Berishës që të na dëgjojë për kërkesat tona", thotë kryetari i Sindikatës së Minatorëve, Fiqiri Xibri, duke folur me agjencinë NOA.

Minatorët kanë kërkuar në këto dy vitet e fundit tryezë bisedimi me qeverinë për statusin e minatorit.

Por ata thonë se përveç premtimeve asnjë hap nuk është bërë në këtë drejtim.

Xibri thotë se e vetmja shpresë mbetet firmosja nga kryeministri i draftit të kërkesave për statusin.

"Gjatë takimit me ministrin e Shtetit, Genc Pollo, na u tha se do të kishim një përgjigje nga kryeministri por ne na është mbyllur dera prej tij. Ne presim të mbledhim nesër Këshillin Kombëtar të Sindikatës dhe paraprakisht kemi vendosur që ti kërkojmë kryeministrit Berisha të firmosë direkt statusin e minatorit, pasi s'mund të presim asnjë afat kohor në lidhje me këtë çështje", thotë Xibri.

Minatorët janë të përgatitur dhe për refuzimin e kësaj kërkese nga kryeministri. Ata deklarojnë se në një rast të tillë do të ekstremizojnë protestat duke aluduar për "kthimin e Tiranës në një Çikago brenda Evropës moderne", referuar trazirave sindikale të kohëve më parë në SHBA.

b.a/e.r/NOA

KOMENTE