Shkup, 8 shkurt, NOA - Ndërmjetësi për kontestin e emrit të Maqedonisë, Metju Nimic pritet që më 25 shkurt të mbërrijë për vizitë në Shkup, për të shqyrtuar procesin e përshpejtimit të negociatave për zgjidhjen e këtij kontesti midis Shkupit dhe Athinës. Paraprakisht, mediatori i OKB-së do të qëndrojë për vizitë në Athinë, ku gjithashtu do të njihet me pozicionet e fundit greke lidhur me këtë çështje.
Siç bëjnë të ditur mediat greke, ndërmjetësi i OKB-së planifikon që të përshpejtojë procesin e negociatave për emrin, me qëllim të gjetjes së një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët. Gazeta "Etnos" shkruan se baza e pakos së re sërish do të jetë emri "Maqedonia Veriore", por duhet të precizohet përdorimi i këtij emri.NOA-INA