Tiranë, 8 Shkurt NOA - Në një te pestën e territorit të Shqipërisë nuk ekziston shërbimi shëndetësor duke sjellë shqetësime te qytetarët që jetojnë në zonat ku nuk ka mbulim me kujdesin mjekësor.
Këtë denoncim e bëri sot Partia Socialiste përmes deputetit të saj Ilir Beqja në një dalje të posaçme për mediat.
Beqja përmendi faktin se brenda 5 ditësh kryeministri ka mbledhur dy herë Task Force për reformën në shëndetësi, por shtoi se "shqiptarët pritën të dëgjonin se çfarë do të ndodhë me shëndetin e tyre, por nuk morën asnjë lajm të mirë".
"Asnjë fjalë për barrierat gjeografike që pengojnë shqiptarët për të patur qasje në shërbimin shëndetësor publik të vendit, asnjë fjalë për barrierat financiare që pengojnë shqiptarët e varfër e të papunë për të përfituar nga shërbimi shëndetësor publik i vendit të tyre", - kritikoi Beqja.
Mjeku Sali Berisha, - ironizoi deputeti socialist, - edhe pas shumë vitesh në krye të punëve të vendit, ende nuk e ka kuptuar se reformat nuk zgjidhen me forcë dhe se reformat nuk janë një task.
"Task Force mund të vlejë për të prerë lidhjet e paligjshme të energjisë elektrike, por jo për të reformuar, reformat duan vizion dhe janë një bashkësi detyrash, veprimesh e masash", - sugjeroi Beqja.
e.r/NOA