Kryeministri flet për gjetjen e eshtrave
Zbulohen eshtra në Dajt, dërgohen në Morg
Tiranë, 8 Shkurt NOA - Qeveria do të vendosë shpërblim për të gjithë ata që do të kontribuojnë me informacione, do të paguajë të gjithë ata që ka dijeni për njerëz të ekzekutuar të cilët ende konsiderohen të zhdukur.
Këtë e bëri të ditur para pak çastesh kryeministri Sali Berisha gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, mbledhje e cila po vazhdon.
Pohimi i shefit të qeverisë erdhi pak orë pasi në zonën e malit të Dajtit, gërmimet rastësore të një banori vendas, çuan në zbulimin e eshtrave të disa shtetasve që rezultoi se ishin vrarë me plumb pas koke dhe ka dyshime të forta se janë viktima të pushkatimit nga regjimi komunist.
"Varri i përbashkët i zbuluar është një apel për shoqërinë shqiptare", theksoi Berisha dhe shtoi: "Nuk i ekzekutoi serbi dhe as pushtuesi, por ata i ekzekutoi regjimi i Enver Hoxhës, ndaj dhe ne duhet ta trajtojmë në mënyrë më serioze dhe më të vendosur këtë çështje, pasi në vendet e tjera ish-komuniste është bërë shumë më tepër për gjetjen e varrezave, për gjetjen e trupave".
Berisha shprehu keqardhjen për faktin se "nuk dihet ku prehen eshtrat e shumë njerëzve, intelektualë të cilët ekzekutoheshin vetëm e vetëm që Shqipëria të mbahej nën terror".
e.r/NOA