English

Rriten çmimet e ushqimeve, inflacioni arrin në 3.6%

Nga Rajmonda Lajthia

Tiranë, 8 shkurt, NOA - 2010-a duket se nuk do të jetë një vit i mbarë për ata qytetarë të cilët kanë të ardhura të kufizuara për të bërë një jetë normale. Por ai do të jetë i vështirë edhe për ata që duan të kursejnë sadopak nga rrogat e tyre. Kjo pasi të gjitha çmimet e produkteve ushqimore kanë shënuar një rritje galopante gjatë muajit janar dhe kjo tendencë do të vijojë edhe në muajt në vazhdim. Instituti i Statistikave ka konstatuar se inflacioni në këtë fillimviti ka arritur në nivelin 3.6 %, shumë pranë limitit 4 %, të lejuar nga Banka e Shqipërisë.

Sipas përfaqësues së INSTAT, Hazbie Bunguri, grupi i ushqimeve dhe i pijeve alkoolike shënuan një rritje prej 1.3 %, ku brenda këtij grupi, rritjen më të madhe e shënuan nëngrupi i zarzavateve, përfshirë dhe patatet, por rritje kanë pësuar edhe çmimet e duhanit dhe karburanteve.

E thënë në vlerë absolute, çmimet kanë shënuar rritje nga 20 lekë për produktet ushqimore, deri në mbi 100 lekë për zarzavatet.

Qytetarët ankohen se me këto çmime menuja e tyre e tavolinës do të reduktohet ndjeshëm.

Sipas Asime Kolonjës, qytetare e Tiranës, një kg spinaq ka arritur në 200 lekë, një çmim ky i papranueshëm për këtë sezon.

Ndërkohë që edhe perimet e tjera si preshi, apo ushqimet e importit si sheqeri, orizi apo vaji janë rritur.

Çfarë parashikohet të ndodhë është se në muajin shkurt inflacioni do të vijojë të rritet për shkak edhe të reflektimit të tarifave të reja të energjisë elektrike, pasi fatura e konsumit të janarit reflektohet në muajin pasardhës.

Nëse kësaj situate do t'i shtohen edhe pagesat që kryejnë qytetarët e pasiguruar për shërbimet spitalore, të cilat nuk janë të përfshira, atëherë norma e inflacionit do të ishte dhe më e lartë.

Ndikim në këtë situatë ka dhënë forcimi i Euros dhe çmimet e larta të importit, por edhe mungesa e prodhimit vendas.

Tendenca e rritjes së inflacionit ka nisur që në muajin dhjetor, kohë e cila njihet si një periudhë që çmimet rriten në mënyrë artificiale, për shkak të festave të fundvitit.

r.l/n.e/NOA

KOMENTE