Tiranë, 8 Shkurt NOA/ Blerina Ahmetaj - Përkujdesja ndaj viktimave të trafikut së shpejti do të mbikëqyret nga shteti dhe jo nga shoqëria civile e cila deri më sot ka arritur ta kryejë këtë përmes donacioneve të ndryshme.
Shërbimi Social Shtetëror (SHSSH) konfirmoi sot se shteti do të marrë përsipër mbështetjen si në planin financiar ashtu dhe atë administrativ.
Ky Shërbim ka propozuar ngritjen e njësive mbikëqyrëse të administrimit të shërbimeve për këtë kategori në nevojë, të cilat do të kryejnë aktivitetin e tyre pranë katër IPSH-ve, në Tiranë, Vlorë, Elbasan dhe Gjirokastër.
Sipas propozimeve të bëra nga SHSSH për këto probleme, viktimat e trafikimit do të jenë përfituese të Ndihmës Ekonomike, pasi ato të dalin nga qendrat rezidenciale të shërbimeve të përkujdesit social.
Kostoja financiare për përfshirjen në programin e ndihmës ekonomike për rreth 105 persona viktima të trafikut është rreth 3.3 milionë lekë.
Për të krijuar një mbështetje administrative shtetërore sa më të konsoliduar, sipas propozimeve, është parashikuar krijimi i njësisë për mbikëqyrjen e administrimit të Qendrave të trajtimit të viktimave të trafikut.
Shpenzimet për pagat dhe kontributet për sigurimet shoqërore të punonjësve do të përballohen nga fondet e buxhetit të shtetit, të akorduara për SHSSH.
Njësitë do të mbikëqyrin zbatimin e legjislacionit në fuqi, mënyrën e administrimit dhe menaxhimit të fondeve të dhëna nga buxheti qendror, si dhe do të raportojnë periodikisht për administrimin e qendrave.
Efektet financiare që rrjedhin nga ky projektligj do të përfshihen në fondet e programuara në projektbuxhetin afatmesëm 2010-2012.
Qendrat e shërbimeve për viktimat e trafikut janë krijuar dhe funksionojnë aktualisht si organizata jofitimprurëse.
Shumë herë, OJF-të (Organizatat jofitimprurëse) vendase dhe të huaja janë akuzuar për abuzim me fondet dhe pastrim parash kurse pakkush ka informacion për mënyrën e përftimit të fondeve hyrje-daljeve dhe destinacioneve të tyre.
b.a/e.r/NOA