English

Stipe Mesiç: Kufijtë e Evropës Juglindore janë zgjidhur

Zagreb, 8 shkurt, NOA - Presidenti kroat në largim, Stipe Mesiç, në një intervistë ekskluzive për BBC-në tha se çështja e kufijve në Ballkan përfundimisht është zgjidhur. Sipas tij, Beogradi nuk është e thënë ta njohë Kosovën, por nuk guxon të pengojë të tjerët të komunikojnë me të. Ndërkaq, duke folur për Bosnjën, Mesiç tha se çështjet e hapura duhet të zgjidhen përmes negociatave e jo shkëputjes së Republika Serpska.

Zoti President, një deklaratë e juaj lidhur me mbrojtjen ushtarake të Marrëveshjes së Dejtonit në Beograd shkaktoi shumë zhurmë. Çfarë synuat me të, të dëshmoni se çështja e Bosnjë e Hercegovinës, me Republika Serpskën brenda, është e pazgjidhur ose se është problemi më i madh i rajonit?

- Në Beograd e dinë shumë mirë se çfarë desha të them, por këtë për nevoja të brendshme po e komentojnë në një mënyrë të gabueshme. Në të vërtetë, Kroacia është garantuese e ekzistimit të Bosnjë e Hercegovinës. Kryeministri i Republika Serpskës nuk e njeh Bosnjë e Hercegovinën. Ai thotë se Sarajeva nuk është kryeqyteti i saj. Dhe, ai thotë se, për të, Bosnja e Hercegovina nuk është konstante, por entinteti serb është konstant, i krijuar nga spastrimi etnik. Sepse, në hapsirën e sotme të Republika Serpskës, para luftës, jetonin 48 për qind boshnjakë dhe kroatë. Sot ata përbëjnë 8 për qind. Ishin 220 mijë boshnjakë e kroatë. Të gjithë ata janë përzënë.

Dhe kur Milorad Dodik flet se është për Marrëveshjen e Dejtonit, ai vetëm flet se është për Republika Serpskën dhe se ka të drejtë për mbatjen e referendumit për shkëputje. Por Marrëveshja e Dejtonit thotë se duhet të kthehen edhe kroatët edhe boshnjakët në qytetet dhe vendbanimet e veta, të kthehen në vendet e tyre të punës. Ai e harron këtë dhe mendon se krimi i kryer nga regjimi i Slobodan Milosheviqit, Karaxhiqit dhe Mladiqit është diçka e dhënë dhe nuk guxon të preket. Nëse Milorad Dodik do ta shkëpuste një pjesë të Bosnjë e Hercegovinës, kufiri mes Kroacisë e Serbisë do të ishte i gjatë 800 kilometra. Dhe, kjo do të shënonte realizimin e planit të Milosheviqit. Prandaj, Kroacia nuk mund të pajtohet me këtë dhe sikur të shkëputej një pjesë e Bosnjë e Hercegovinës, unë e thash, mendimi im është se unë do ta ndërprisja korridorin. Sepse, çështjet në Bosnjë e Hercegovinë duhet të zgjidhen patjetër përmes negociatave e jo shkëputjes.

A mund të realizohet kërcënimi i kryeministrit të Republika Serpskës për referendumin për shkëputje nga Bosnjë e Hercegovina?

-Ai mund të organizojë referendum, por ai nuk e obligon askend. Çështja është kur ta zbatonte në vepër shkëputjen e Bosnjë e Hercegovinës, atëherë Evropa dhe bota do të duhej të reagonin sepse kjo do të shënonte se Milosheviqi ka mundur edhe NATO-n, edhe bashkësinë ndërkombëtare, se ka mundur edhe Kroacinë edhe Bosnjë e Hercegovinën.

Ju mendoni se në gjithë këtë, roli i Beogradit mund të jetë aktiv, në kuptimin pozitiv?

- Tash për tash ai është negativ, sepse Beogradi zyrtar pohon se është për ekzistimin e Bosnjë e Hercegovinës, por në gjithçka mbështesin Milorad Dodikun që po e shkatërron Bosnjë e Hercegovinën. Pra, pyetja që shtrohet tani është cili është qëndrimi i Beogradit.

Përmendët pak më parë shpërnguljet e boshnjakëve dhe të kroatëve nga Republika Serpska, por edhe nga pala serbe mund të dëgjohet pohimi se edhe në Kroaci, në vendin Tuaj, dikur, para luftës, ka pasur më shumë serbë se tani!

- Sa u përket serbëve në Kroaci, është e qartë se një pjesë e serbëve ka marrë pjesë në kryengritje. Milosheviqi i armatosi ata nga garnizonet e Armatës Jugosllave. Ai i futi në kryengritje dhe ai i thirri kur u tërhoq nga Kroacia që ta braktisin Kroacinë, sepse ata i duheshin për ta populluar Kosovën, sepse mendonte se do të dëbojë dy milionë kosovarë nga Kosova, një milion do të shkonin në Shqipëri, një milion në Maqedoni dhe me këtë do të destabilizonte këto dy shtete. Dhe, mendonte se me këtë do të bëhej më i forti në rajon, dhe Evropa do të kërkonte shërbimet e tij për stabilizimin e Maqedonisë dhe të Shqipërisë. Në vend të kësaj reagoi Pakti i NATO-s dhe planet e Milosheviqit ranë në ujë.

Për hir të së vërtetës, edhe në Kosovë, tani numri i serbëve është dukshëm më i vogël nga ai i paraluftës. Edhe atje ka pak të kthyer!

- Serbët që kanë braktisur Kosovën, ata mund të kthehen kur të duan, sepse unë kam parë aktet normative të Kosovës ku sigurisht sot ekziston mbrojtja më e mirë e pakicave kombëtare. Kosova ka standardet më të larta të mbrojtjes së pakicave që ekzistojnë sot në Evropë.

Ju në fillim të këtij viti ishit në Kosovë. Cilat janë vlerësimet Tuaja sa i përket të ardhshmes së saj, duke marrë parasysh vendomërinë e Beogradit për negociata të reja për statusin e saj?

- Sa u përket kufijve në hapësirën e Evropës Juglindore, kjo çështje përfundimisht është zgjidhur. Pra, arkitektura e hapësirës sonë ka përfunduar. Marrëdhëniet mes Prishtinës, respektivisht Kosovës dhe shteteve të tjera përcaktohen me marrëveshje ndërshtetërore. Beogradi nuk është e thënë ta njohë Kosovën, por nuk guxon të pengojë të tjerët të komunikojnë me Kosovën. Unë kam qenë në Kosovë. Ata tani kanë nevojë për t'u zhvilluar. Dhe, bashkësia ndërkombëtare e sidomos Evropa duhet të mbajnë llogari që në Kosovë të aktivizohen të gjitha potenciale e tyre ekonomike dhe para së gjithash potencialet njerëzore. Kur në Kosovë të mund të jetohet mirë, atëherë më kollaj do të zgjidhen edhe këto çështje statusore.

Zoti President, fitohet përshtypja se pikërisht me këtë vizitën tuaj në Prishtinë pasoi një acarim i marrëdhënieve me Serbinë. A prisni ndonjë afrim-pajtim të shpejtë, duke marrë parasysh se Ju, Kroacia, dhe Serbia keni një proces gjyqësor në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë lidhur me luftën e fillimviteve nëntëdhjetë?

- Unë konsideroj se vizita ime në Prishtinë nuk i përkeqësoi marrëdhëniet tona, sepse Boris Tadiq, president i Republikës së Serbisë e vizitoi Republika Serpskën, vizitoi Banja Lukën, pra vizitoi një entitet që u krijua nga spastrimi etnik dhe ne vetëm e konstatuam këtë. Nuk e di pse Beogradi krijon problem nga vizita ime në Prishtinë. Po ashtu, nuk e di pse Beogradi krijon çështje edhe nga fakti se disa shtete të tjera e njohin Kosovën ose vendosin marrëdhënie diplomatike. Pse nuk i ndërpresin marrëdhëniet me Uashingtonin nëse u pengon aq shumë që dikush e njeh Kosovën.

Ju pyeta edhe për qëndrimin lidhur me procesin në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë ku edhe vendi Juaj dhe Serbia akojnë njëra- tjetrën për luftën e kaluar!

- Po. Ne kemi paraqitur padinë. Ne kemi paraqitur edhe argumentet dhe i takon Gjykatës që tani ta zgjidhë këtë. Serbia është paraqitur me kundërpadi, por dihet fort mirë se tanket kroate nuk kanë shkuar në drejtim të Beogradit dhe Novi Sadit. Dihet se tanket nga Beogradi dhe Novi Sadi, madje të mbuluara me lule, erdhën në drejtim të Kroacisë dhe shkatërruan Vukovarin dhe qytete të tjera. Pra, fjala është për dy çështje.

Ne kemi thënë se në Kroaci ka pasur krime edhe në anën kroate dhe ne të gjitha këto po i hetojmë. Prandaj them se as që mund të flitet për ndonjë gjenocid. Për atë se ku kanë shkuar tanket dhe kush ka shkatërruar qytetet e kujt, unë mendoj se edhe për nëtë nuk duhet të bisedojmë, sepse ushtria jonë nuk ka shkrepur asnjë plumb në anën serbe, ndërsa ushtria serbe ka ardhur në Kroaci edhe formalisht edhe jo formalisht. Gjithashtu duhet të themi se kampet në të cilat janë mbajtur si robër qytetarët tanë kanë qenë në Serbi. Ne nuk kemi kampe ku të ketë pasur qytetarë serbë.

Çmoheni si njohës i mirë i zhvillimeve në Ballkan. Ky rajon vazhdon të jetë i mbërthyer nga probleme të natyrës kryesisht etnike. Në jug, vazhdon edhe sot e kësaj dite konflikti maqedono-grek për emrin e Maqedonisë; marrëdhëniet shqiptaro-serbe mbeten të tensionuara krysesisht për shkak të Kosovës, Bosnja mbetet aktuale me problemet e veta, por edhe marrëdhëniet kroato-serbe e kroato-sllovene nuk janë kushedi sa të mira. Çfarë mendoni, kur do të evropeizohet Ballkani?

- Ne me Slloveninë e kemi zgjidhur çështjen e kufirit, sepse nënshkruam një marrëveshje arbitrazhi dhe kur arbitrazhi të përfundojë punën, ne, të dyja palët, do ta pranojmë atë. Dua të them se më me Slloveninë nuk kemi asnjë çështje të hapur serioze. Sa i përket Bosnjë e Hercegovinës, bashkësia ndërkombëtare duhet të mundohet ose që përfaqësuesit e tre popujve ta zgjidhin funksionimin e brendshëm dhe strukturën e Bosnjë e Hercegovinës ose do të duhet të shkojnë në një Marrëveshje të re të Dejtonit. Ndërkaq, sa i përket Serbisë dhe Kosovës, Kosova u mundua që me Serbinë të zgjidhë përmes negociatave çështjen e satusit të saj. Sepse, Kosova ishte element konstitutiv i federatës jugosllave. Kjo federatë më nuk ekziston, por Kosova ishte e lidhur edhe me Serbinë dhe prandaj duhej zgjidhur statusi.

Serbia ofroi më shumë se autonomi e më pak se pavarësi, ama nuk tha nëse është kjo federatë apo konfederatë, çfarë nënkuptonte kjo për nga përmbajtja. Dhe, meqenëse negociatat në Rambuje nuk patën sukses, Kosova shpalli pavarësinë. Serbia nuk është e thënë të njohë Kosovën, ashtu sikur Gjermania Perendimore nuk e njohu Gjermaninë Lindore, por duhet të lejojë që të tjerët të funksionojnë me Kosovën. Sa i përket Greqisë dhe Maqedonisë, kjo është një çështje që për palën maqedonase është një çështje thellësisht nacionale, kurse për palën greke është çështje politike. Dhe kjo mund të zgjidhet vetëm përmes negociatave kur për këtë të ketë vullnet politik tek të dyja palët.

Së shpejti përfundoni mandatin e dytë presidencial, në ballë të Kroacisë. Zoti Mesiç, gjatë çfarë planifikuat këtyre viteve dhe nuk ia dolët ta realizoni?

- Ajo që unë e kamë dëshiruar së tepërmi është që gjatë mandatit tim Kroacia të hyjë në Bashkimin Evropian. Realizuam një objektiv - hymë në Aleancën e NATO-s, por këtë objektivin tjetër të politikës së jashtme nuk ia dolëm ta bëjmë realitet. Kjo do të ndodhë për një apo dy vjet. Ajo që më pikëllon është se ende nuk ia dolëm të zgjidhim deri në fund çështjen e kësaj krizës ekonomiko-financiare në të cilën u gjetëm, sepse për një pjesë të kësaj krize fajtor është recesioni botëror që erdhi nga Shtetet e Bashkuara dhe pjesa tjetër e kësaj krize është pasojë e politikës sonë të gabueshme ekonomike. Tani po punohet në këtë drejtim dhe unë shpresoj se masat të cilat po i ndërmerr qeveria do të jenë të suksesshme dhe do të zgjidhim edhe çështjen e aktivizimit të ekonomisë kroate.

Shumëkush do të dëshironte të dinte se çfarë do të bëjë Stipe Mesiç pas pensionimit?

- Sigurisht se nuk do të merrem me këtë politikën operative me të cilën jam marrë tani, por gjithmonë do të jem në dispozicion të qeverisë kroate dhe të presidentit kroat nëse ata kërkojnë shërbimet e mija. Gjithësesi se kam marrëdhënie shumë të mira edhe në rajon, edhe në Evropë e botë dhe unë gjithmonë jam i gatshëm t'u dalë në ndihmë atyre të cilët kërkojnë që përmes bisedimeve të zgjidhen çështjet ose që të përmirësohet bashkëpunimi ekonomik mes Kroacisë dhe vendeve të tjera.

BBC

KOMENTE