English

Viktimat e komunizmit, Avokati i Popullit: Shteti të gjejë varret

Tiranë, 8 shkurt, NOA / Nga Blerina Ahmetaj - Zbulimi i varrit masiv në Linzë të Tiranës ka risjellë dhe njëherë në kujtesën e shqiptarëve krimet e komunizmit dhe detyrimin e shtetit për t'i kthyer të zhdukurit pranë familjeve të tyre.

Komisioneri i Avokatit të Popullit, Skënder Haluca, i cili është i prekur direkt nga diktatura pasi regjimi komunist i burgosi e më pas i vrau babain, thotë se ky varr nuk është i vetmi dhe kjo bazohet në dëshmitë e familjarëve të viktimave të pushkatuar nga komunizmi të cilët kërkojnë në vite të afërmit e tyre.

"Një rast është në periferi të Shkodrës, pranë antenave të radio Shkodrës, ku janë varrosur Sokol Sokoli dhe Tom Ndoja, dy persona të ekzekutuar pas revoltës së Qafë Barit në vitin 1984. Familjarët e tyre i zbuluan pas shumë vitesh kërkimesh në gjithë vendin. Tjetër rast është një person në pyllin e Sodës në Vlorë ku familjarët gjetën eshtrat e dikujt tjetër dhe i qajnë sikur të ishin të familjarit të tyre dhe ky nuk është rasti i vetëm", thotë komisioneri Haluca.

Sipas tij, Avokati i Popullit ka nisur një hetim prej dy vitesh për gjetjen e të zhdukurve prej regjimit komunist.

Por ka ardhur koha që nismat për hapjen e varreve dhe kthimin e eshtrave pranë familjes, t'i marrë shteti e jo më familjet.

"Ne i kemi rekomanduar kryeministrit Berisha që të ngrejë një komision hetimor në përbërjen e të cilit të jenë përfaqësues nga SHISH, prokuroria, Avokati I Popullit, dhe mjekë të Institutit të Mjekësisë Ligjore, pasi këta duhen për të identifikuar eshtrat dhe numërtuar. Me kryerjen së shpejti të analizës së AND në Shqipëri kjo gjë sdo të jetë më problem", thotë Haluca.

Shqipëria është vendi i fundit në Europën Lindore që nuk i ka hapur ende arkivat e shërbimit sekret të kohës së komunizmit.

Shoqatat e ish-të burgosurve politikë besojnë se 5577 burra dhe 450 gra u ekzekutuan gjatë regjimit komunist nga viti 1946 deri në vitin 1991.

Një debat vijon prej shumë vitesh nëse duhet apo jo të hapen arkivat e shërbimeve sekrete. Ndërkohë, autoritetet shtetërore nuk kanë bërë asgjë për të ndihmuar familjarët e viktimave të gjejnë eshtrat e të ekzekutuarve.

b.a/n.e/NOA

KOMENTE