English

Dhoma e Tregtisë, bursa dhe punësim për studentët që mësojnë

Tiranë, 9 Shkurt NOA - Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë dhe Universiteti i Tiranës nënshkruan një memorandum bashkëpunimi duke përcaktuar për herë të parë qartë se në çfarë do të konsistojë ky memorandum.

Rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule u shpreh pas nënshkrimit të këtij memorandumi se ky bashkëpunim vjen në kuadër të misionit që ka shkolla e lartë. "Universiteti i Tiranës me kapacitetet akademike që ka është në gjendje të afrojë gjithë mundësitë e duhura. Janë 35 mijë studentë që diplomohen këtë vit dhe është në të mirën e të gjithëve vendosja e pikave të kontaktit me sipërmarrësit", u shpreh Kule duke shtuar se "kjo parashikon me shumë se realizim praktikash".

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Nikolin Jaka tha se ky memorandum vjen si një nga iniciativat e Dhomës që lidhen me reformimin, ristrukturimin si dhe përcaktimin e një vizioni të ri bashkëkohor, i cili do ti përgjigjet më së miri ritmit të transformimeve dhe krijimit të një klime ekonomikë të re në tërësi në vendin tonë. "Nënshkrimi i marrëveshjeve të bashkëpunimit më aktorët publikë dhe civil është një nga prioritetet tona", u shpreh Jaka.

Duke qëndruar në nënshkrimin e sotëm Jaka vlerësoi se "trupa akademike e Universitetit të Tiranës e cila në një masë të konsiderueshme ka kontributin e vet në formimin profesional të shumë biznesmenëve tanë, nga ana e Dhomës së Tregtisë shihet si një partner i fuqishëm dhe i pazëvendësueshëm".

Në këtë pikë Jaka ishte konkret duke cilësuar se kombinimi dhe rakordimi midis dy institucioneve për të identifikuar studentët më të mirë si kandidatë të mundshëm për tu punësuar në bizneset e Tiranës.

Ky program do të realizohet duke garantuar edhe një lloj bashkëpunimi dhe sporti ekonomik nga ana e bizneseve për studentët kandidatë gjatë periudhës së studimeve të tyre, duke u orientuar edhe profilizimin e studentëve.

Në këtë formë Dhoma nuk do të jetë një ndërmjetës për studentët që thjesht të kryejnë një praktikë, por do të ndërmjetësojë për të evidentuar dhe dhënë rrugën e duhur në profilizimin që kërkohet.

Gjithashtu qëllimi i memorandumit ka të bëjë me rritjen e interesit të grupeve të biznesit për burime njerëzore të mirë kualifikuara, të afta që në stadin aktual të zhvillimit ti përgjigjen niveleve të larta të teknologjisë dhe menaxhimit, me synimin që bashkërisht të përballohen sfidat e postkrizës botërore e në vazhdim, si dhe për të vendosur ura bashkëpunimi të përhershme në marrëdhëniet universitet - biznes.

e.r/NOA

KOMENTE