English

Dita ndërkombëtare e internetit të sigurt, udhëzime konkrete

Tiranë, 9 shkurt, NOA - Në ditën ndërkombëtare të Internetit të Sigurt, disa OJQ kanë shpërndarë një udhëzues të posaçëm në të cilin përmbahen këshilla përdorimi për fëmijët dhe prindërit mbi shërbimin e internetit. Kështu, ka disa gjëra të rëndësishme të cilat fëmijët duhet të dinë dhe t'i zbatojnë gjatë përdorimit të kompjuterit dhe/ose internetit.

- Mos jepni informacion rreth adresës së shtëpisë, shkollës apo numra telefoni, personave të panjohur dhe/ose atyre të njohur nëpërmjet internetit;

- Mos shkarkoni foto ose video të dërguara nga adrersa/persona të pa-njohur ose persona të njohur nëpërmjet internetit;

- Mos shkarkoni /postoni fotografi për persona që nuk i njihni ose i keni njohur në internet;

- Mos ju përgjigjni asnjëherë mesazheve apo postimeve të ndryshme nga persona të panjohur;

- Tregojuni menjëherë prindërve, vëllezërve-motrave më të ritur, mësueses tuaj nëse merrni mesazhe të cilat ju bëjnë të ndiheni keq ose të frikësuar;

- Kujtoni se personi që ju mund të njihni në internet mund t'ju thotë se është moshatari juaj, por në të vërtetë mund të jetë një i rritur i cili kërkon t'ju bëjë keq;

- Mos lini takim dhe mos u takoni me asnjë person me të cilin jeni njohur nëpërmjet internetit.

Këshilla për prindërit

- Informohuni për rreziqet që mund t'ju vijnë fëmijëve nga/dhe gjatë përdorimit të internetit, në veçanti për ngacmimet seksuale nëpërmjet internetit;

- Komunikoni dhe bisedoni me fëmijën tuaj rreth rreziqeve të mundshme që mund t'ju vijnë nga përdorimi i internetit;

- Kaloni një kohë të caktuar së bashku me fëmijët tuaj duke eksploruar në internet. Bëni të mundur që ata t'ju tregojnë rreth gjërave të pëlqyeshme dhe faqeve të vizituara vazhdimisht prej tyre;

- Vendoseni kompjuterin në dhomën tuaj të ndenjës dhe jo në dhomën e fëmijëve. Vendosja e kompjuterit në dhomën e fëmijëve e bën të pamundur kontrollin e fëmijëve tuaj në internet dhe ata janë më tepër të ekspozuar ndaj çdo lloj ngacmimi nëpërmjet internetit, në veçanti nga ngacmimet seksuale të (pedofilëve);

- Krijoni në kompjuter "përdorues të veçantë" për fëmijët tuaj, duke përcaktuar dhe kufizime në përdorim;

- Vendosni rregulla të përcaktuara mirë mbi mënyrën dhe kohën e përdorimit të komjuterit dhe internetit nga fëmijët tuaj. Disa faqe interneti dhe koha e papërcaktuar e përdorimit janë të papërshtatshme për fëmijët tuaj;

- Në vazhdimësi kontrolloni "historikun" e internetit në kompjuter, Kjo do t'ju ndihmonte të mësonit se çfarë faqesh frekuenton fëmija juaj gjatë përdorimit të internetit;

- Instaloni në kompjuterat tuaj programe të "kontrollit prindëror" (parental control), ose mjeteve të posaçme të cilat kryejnë filtrimin e faqeve që kërkojne akses në internet;

- Kini kujdes dhomat e bisedimeve (chat) përdoren gjerësisht nga personat me prirje të pedofilisë për rekrutimin e fëmijëve me qëllim ngacimin seksual dhe deri në lënien e takimeve për abuzimin seksual të tyre;

- Mësojeni fëmijën tuaj të jetë i përgjegjshëm në përdorimin e burimeve të internetit;

- Tregojuni fëmijëve tuaj se informacioni që ata marrin prej internetit mund të jetë ose jo i vërtetë.

n.e/NOA

KOMENTE