English

Fëmijë të Murit, një histori jo vetëm gjermane

Tiranë, 9 shkurt, NOA / Nga Milena Selimi - Së bashku me nxënës të seksionit dygjuhësh të gjimnazit "Sami Frashëri" si dhe me studentë të universitetit të Tiranës autori dhe regjisori nga Berlini, Stefan Neugebauer, prezanton një pjesë të historisë gjermane në një kolazh skenik grotesk.

Një komunist i çmendur jeton në një kazan plehrash në vijën kufitare. Kontrolli kufitar, parrulla komuniste, politikanë amerikanë, përpjekje për arratisje, marrje në pyetje por gjithashtu edhe turistë në kufirin gjermano-gjerman takohen njerëz nga më të ndryshmit. Duke marrë shkas nga ndërtimi i Murit të Berlinit më 13 gusht 1961 pjesa teatrore "Fëmijë të Murit" ju fton në një retrospektivë plot fantazi mbi të shkuarën komuniste të Gjermanisë. Spektatori përjeton murin në prespektivën e qytetarit të asaj kohe të Republikës Demokratike të Gjermanisë (RDGJ).

Me rastin e 20-vjetorit të rënies së Murit të Berlinit regjisori Stefan Neugebauer ka shkruar këtë pjesë teatrale ekskluzivisht për shfaqjen me të rinjtë shqiptarë. Paralelet me historinë e Shqipërisë janë shumë te afërta dhe janë integruar qartas në pjesë në formën e referencave të shumta.

Aktorët flasin jo vetëm gjermanisht por herë pas here edhe shqip, anglisht madje edhe pak frëngjisht. Njohuritë e gjuhës gjermane nuk janë të domosdoshme për të kuptuar situatat, ndaj pjesa është e kuptueshme edhe për publikun vetëm shqipfolës.

Shfaqje teatrale: "Fëmijë të Murit"

E premte, 12 Shkurt 2010, Teatri Migjeni, Shkodër.

m.s/n.e/NOA

KOMENTE