Franca është pajtuar t'i shesë Rusisë një luftanije të tipit "Mistral", pavarësisht dëshirave të anëtarëve të tjerë të NATO-s. Gjeorgjia, tashmë e ka kundërshtuar një shitje të tillë, duke theksuar çështjen e shqetësimit më të gjerë për stabilitetin rajonal
Zyrtarë të Mbrojtjes bënë me dije se Franca ka rënë dakord që t'i shesë Rusisë anije luftarake të avancuar dhe, nga ana tjetër, po merr në konsideratë kërkesën për shitjen e tre luftanijeve të tjera.
Dhe, nëse procesi i shitjes përfundon, atëherë kjo do të jetë marrëveshja e parë e shitjes së armatimeve mes Rusisë dhe vendeve anëtare të NATO-s. Lajmi i shitjes së luftanijes ka rritur shqetësimin te vendet anëtare të NATO-s, si dhe të fqinjëve rusë, veçanërisht të Gjeorgjisë, e cila ishte në luftë me Rusinë në 2008-ën. Presidenti i Francës, Nikolas Sarkozi, e aprovoi shitjen e luftanijes "Mistral" pas disa muaj bisedimesh. Xhak de Lazhugi, përfaqësues i Agjencisë Franceze të Armatimit, DGA, tha se zyrtarët e flotës detare ruse kanë parashtruar një kërkesë për tri anije të tjera dhe kjo kërkesë e tyre po "shqyrtohet". Kryetari i Komitetit Parlamentar të Gjeorgjisë për Integrim Evropian, Dejvid Darshiashvili, thotë se plani i shitjes së luftanijeve do të ndikojë në gjithë rajonin, ndaj duhet të diskutohet nga vendet anëtare të NATO-s dhe të Bashkimit Evropian. "Kjo ‘blerje e planifikuar' është vërtet një çështje shqetësuese për vendet fqinje të Rusisë dhe mendoj se duhet të jetë çështje e shqetësimit më të gjerë, në kontekstin e stabilitetit rajonal, të balancës dhe të sigurisë". "Dhe, kjo duhet të jetë temë e diskutimeve për vendet anëtare të NATO-s dhe të Bashkimit Evropian", tha kryetari i Komitetit Parlamentar të Gjeorgjisë për Integrimin Evropian, i cili shtoi se ai pret që shumë vende në rajon do ta kundërshtojnë. "Në duart e Rusisë, kjo nuk është vetëm një armatim i zakonshëm, ashtu siç është për çdo vend paqësor, që shqetësohet për sigurinë dhe mbrojtjen e tij". "Mendoj se kjo marrëveshje do të ketë kundërshtime dhe këto kundërshtime nuk do të jenë vetëm nga ana jonë", tha Darshiashvili. Lituania i shkroi Francës në nëntor duke i kërkuar sqarime rreth kësaj gjëje dhe detaje në lidhje me municionet që përmban anija. Anija luftarake "Mistral" arrin të ankorohet në brigjet detare dhe të vendosë trupat në tokë, gjë që i mungon marinës ruse. E gjatë 200 metra, kjo anije arrin të mbajë në bord 16 helikopterë ushtarakë dhe dhjetëra automjete të blinduara. Vitin e kaluar, kreu i flotës ruse tha se një anije e tillë si "Mistral", duhet t'i mundësonte Rusisë veprime më efikase në Detin e Zi, gjatë luftës Gjeorgji -Rusi. Ai tha se anijes franceze i duheshin 40 minuta për të bërë atë gjë që flotës ruse në Detin e Zi iu desh ta bënte për 26 orë. Ministri francez i Mbrojtjes, Herve Morin, mbajti një takim në Paris me sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Robert Gates, i cili shprehu shpresën që Franca të kontribuojë në stabilitetin evropian. Morin tha: "Është e kuptueshme që për disa vende të Evropës Qendrore dhe Lindore, plagët janë ende të hapura", por shtoi se "Franca dëshiron që të ketë një marrëdhënie besimi në rritje me Rusinë." Ndërsa, Robert Gates theksoi se ai, së bashku me Morin, kanë diskutuar shitjen dhe kanë shkëmbyer këndvështrime të mira në këtë drejtim. Në Uashington, zëdhënësi i Pentagonit, Xhef Morel, tha se miqtë dhe aleatët e SHBA-së në Evropën Lindore janë të nervozuar rreth kësaj gjëje, veçanërisht Gjeorgjia dhe kjo me të drejtë. Ai, shtoi se "ata u frikësohen këtyre anijeve, pasi kjo i jep kapacitete shtesë Rusisë të kërcënojë edhe një herë Gjeorgjinë". /rfe/