Berlin, 9 shkurt, NOA - Shteti gjerman ka vendosur të ndihmojë me një shumë prej 1.5 miliardë eurosh koncernin e prodhimit të automjeteve "Opel" për të dalë nga kriza e rëndë financiare në të cilën gjendet. Kjo pas shifrës së paralajmëruar nga "Opel" se do të shkurtojë në Evropë 8.300 vende pune. Duket se një shifër e tillë nuk i ka ardhur për shtat qeverisë gjermane, pasi do të krijonte tronditje në radhët e punëmarrësve, e për këtë arsye duket se ka ndërmarrë masën e ndihmës financiare ndaj kompanisë "Opel".
Bëhet me dijeni se paratë do të merren nga i ashtuquajturi "Fondi i Gjermanisë" që qeveria e kishte krijuar në kohën e krizës për sipërmarrjet nevojtare.
Sipas të dhënave të shefit të koncernit Nick Reilly gjatë prezantimit të konceptit për rimëkëmbjen në Frankfurt mbi Main të prekur janë 1.300 vende pune në administratë dhe 7.000 në prodhim.
Vetëm në Gjermani preken nga shkurtimet rreth 3.900 vende pune dhe sipas Reilly-t, Gjermania do të marrë pjesë me një ndihmë shtetërore prej 1,5 miliardë eurosh.
n.e/NOA