English

Ish-guvernatori: Qeveria të rishikojë buxhetin me urgjencë

Tiranë, 9 shkurt, NOA / Nga Rajmonda Lajthia - Një ditë pasi INSTAT publikoi inflacionin, i cili arriti në masën 3.6%, ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Shkëlqim Cani, i sugjeron qeverisë që të ndryshojë në mënyrë urgjente buxhetin e shtetit 2010. Rishikimi i shpenzimeve do të ndikonte në ecurinë e monedhës vendase, e cila është nënçmuar djeshëm kohët e fundit sipas Canit. "Kursi i këmbimit ndikon direkt në inflacion, ndaj stabilizimi i tij do të ishte një masë për të zbutur çmimet", tha ai.

"Buxheti nuk është në baza realiste, vijon të ndjehet një optimizëm në deklaratat e qeveritarëve, ndërkohë, ajo që mund të them është se, në 2010 ekonomia shqiptare do të vuajë", - shprehet Cani lidhur me një fakt të tillë.

Për aq kohë sa deficiti buxhetor nuk vihet nën kontroll, leku do të vijojë të ketë probleme. Sipas Institutit të Statistikave çmimet e ushqimeve që pësuan rritjen më të madhe ishin kryesisht perimet e zarzavatet.

"Po të kemi parasysh që ushqimi është dominues në familjet e varfra, atëherë mund të themi se këtu ndihet inflacioni real", - thotë Cani. E në këtë pikë nuk ka masë lehtësuese për të sugjeruar, pasi ky efekt është i pashmangshëm.

Ndërkohë kërcënimi i mëtejshëm për të patur sërish çmime të larta është energjia elektrike, e cila do të godasë buxhetet e familjeve të varfra.

Sipas ekspertëve, ndikim në rritjen e inflacionit në treg kanë dhënë edhe përmbytjet e Shkodrës, pasi dëmtimi i prodhimit vendas nuk ka plotësuar nevojat e tregut duke rritur çmimet.

r.l/n.e/NOA

KOMENTE