Tiranë, 9 shkurt, NOA - Kryeministri Berisha priti sot në një takim ambasadorin e ri të Izraelit, David Cohen, me rastin e fillimit të misionit të tij në Shqipëri. Duke e uruar Cohen për detyrën e re si ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i shtetit të Izraelit në Shqipëri, Berisha i shprehu atij kënaqësinë për nivelin e marrëdhënieve ne mes dy vendeve. Gjatë këtij takimi, kryeministri Berisha ndër të tjera vlerësoi punën e mirë të ish- ambasadores izraelite në Tiranë dhe shprehu bindjen për vazhdimësinë e këtij bashkëpunimi në të ardhmen me ambasadorin Cohen.
Ndër të tjera, Berisha i kërkoi ambasadorit izraelit që me punën e tij të nxisë më tej interesimin e biznesit izraelit për të investuar në Shqipëri, në veçanti në fushën e arsimit, shëndetësisë, bujqësisë, turizmit dhe energjetikës.
Nga ana e tij, ambasadori Cohen, shprehu falënderimet e tij për mbështetjen dhe interesimin që kryeministri dhe qeveria shqiptare i kushtojnë zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve dhe shkëmbimeve mes dy vendeve tona dhe premtoi se gjatë misionit të tij, do inkurajojë zhvillimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi.
n.e/NOA