English

Kur do të nisë ndërtimi i autostradës?

Autoritetet kosovare po i vazhdojnë negociatat me kompaninë "Bechtel & Enka", për detajet rreth fillimit të punimeve për ndërtimin e autostradës Vërmicë-Prishtinë-Merdar, bëjnë të ditur zyrtarë nga Ministria e Transportit

Luljeta Krasniqi*

Punimet për ndërtimin e autostradës Vërmicë - Prishtinë - Merdar pritet të nisin brenda disa javëve, bën të ditur zëdhënësi i Ministrisë së Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, Xhevdet Pozhari. Ai thotë se negociatat me kompaninë "Bechtel & Enka", janë duke vazhduar dhe se së shpejti pritet të konkretizohen detajet rreth këtij projekti. "Brenda disa javëve fillojnë punimet, por varet edhe nga disa pika, të cilat janë duke u diskutuar mes Ministrisë, konsulentëve dhe ekspertëve të kompanisë ‘Bechtel & Enka'". "Ne konsiderojmë se deri në përfundim të këtij muaji dhe në fillim të muajit të ardhshëm, të gjitha përgatitjet do të përfundojnë dhe do të fillojnë punimet", thotë Pozhari. Qeveria e Kosovës në janar të këtij viti ka miratuar propozimin e Komitetit Ndërministror për ndërtimin e autostradës, për të filluar negociatat me kompaninë "Bechtel & Enka", e cila ka ofruar që me vlerën 7.5 - 8 milionë euro për kilometër, ta ndërtojë autostradën, që parashihet të jetë rreth 103 kilometra e gjatë. Por, sipas Pozharit, ekzekutivi kosovar ende nuk ka marrë ndonjë vendim lidhur me atë se si do të bëhet financimi i këtij projekti. "Jemi duke shikuar variante të ndryshme. Është përmendur forma e financimit me partneritet publiko-privat, sigurimi i mjeteve nga buxheti i Kosovës si dhe kreditë. Të gjitha këto janë alternativa, të cilat janë duke u diskutuar me kompaninë ‘Bechtel & Enka'", thekson Pozhari. Ndërkaq, për ekspertët e ekonomisë, alternativat e autoriteteve kosovare për financimin e autostradës, nuk janë ndër më të mirat. Eksperti i ekonomisë nga Instituti për Hulumtime dhe Zhvillime të politikave ekonomike, Isa Mulaj, jep më shumë hollësi për mënyrën më të mirë të financimit. "Mënyra më e mirë dhe më e preferuar që zakonisht përdoret për financimin e autostradave në botë, është marrja e kredive nga institucionet financiare ndërkombëtare, si nga Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar", shprehet Mulaj. Por, edhe kjo mënyrë e financimit, thotë Mulaj, është paksa e ndërlikuar, për shkak të ndryshimeve, të cilat janë duke u bërë në këtë projekt. Ai thekson se derisa të vazhdojnë mosmarrëveshjet rreth projektit, siç është devijimi i autostradës, që u bë, jo vetëm që do të vonohen kreditë nga këto institucione ndërkombëtare financiare, por, gjithashtu do të hezitojnë t'i japin këto kredi për Kosovën. Për Mulajn, një paqartësi e madhe rreth këtij projekti mbetet edhe kostoja. Sipas tij, derisa kostoja e çdo projekti zakonisht dihet para se të fillojë zbatimi i tij, në rastin e "Bechtel & Enka", kjo do të dihet në fund, ose pas realizimit të projektit dhe atë do ta përcaktojë vetë kryerësi i punimeve. "Kompania, fillimisht kishte kërkuar 600 milionë. Mirëpo, në fund, doli se kompania është kontraktuar për 800 milionë euro. Çmimi çdo herë po vjen duke u rritur", thotë Mulaj. Oferta e kompanisë amerikano-turke "Bechtel & Enka", për ndërtimin e autostradës Vërmicë - Prishtinë - Merdar, është shpallur më e mira nga Komiteti Ndërministror për ndërtimin e autostradës në janar të këtij viti, me të cilën më pas kishin fiksuar negociatat. Zëdhënësi i Ministrisë së Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, Pozhari, bën të ditur se, nëse negociatat me kompaninë "Bechtel & Enka" do të dështojnë, atëherë ekzekutivi kosovar do të fillojë negociatat më kompaninë "Strabag" nga Austria, e cila kishte ofertën e dytë më të mirë. Autostrada Vërmicë - Prishtinë - Merdar do të jetë autostradë hyrje-dalje, me gjerësi prej 28 metrash, ku do të jenë katër shirita qarkullues me nga 3.75 metra, dy shirita për ngadalësim me nga 3 metra dhe brezi i gjelbër në mes me gjerësi deri në 4 metra.

(*) Radio Evropa e Lirë

KOMENTE