English

Operacioni "Nata me Hënë" sekuestron arsenal armësh, eksploziv dhe bizhuteri

Lezhë, 9 shkurt, NOA - Një arsenal i vërtetë armësh zjarri dhe armë gjahu, shoqëruar edhe me disa mina dhe lëndë plasëse është mundur të sekuestrohet nga forcat e policisë së Lezhës nën kuadrin e operacionit të koduar "Nata me hënë".

Lajmi konfirmohet në mënyrë paraprake për agjencinë e Lajmeve NOA, duke saktësuar se janë vënë në pranga tre personat të cilët u kapën në flagrancë duke transportuar të tilla mjete të rrezikshme.

Bëhet me dijeni se në prangat e policisë kanë rënë Monel e Leadron Lamaj, së bashku me Sokol Buseta, tre persona që trafikonin eksploziv C4 dhe mina.

Operacioni u krye nga drejtoria e Policisë së Lezhës në aksin Mamurras-Lezhë, në një mjet fuoristradë, me të cilën po transportoheshin lëndët plasëse.

Ndër të tjera, policia bën me dijeni se ka sekuestruar edhe 4 mina me telekomandë si dhe 15 detonatorë elektrikë.

Gjatë kontrollit në banesat e të arrestuarve të lartpërmendur u gjetën gjithashtu edhe armë zjarri, armë gjahu dhe municione, madhe edhe një vlerë e konsiderueshme bizhuterish.

Grupi hetimor i cili ka mbërritur menjëherë në vendngjarje është duke u marrë me verifikimin e rrethanave, ndërsa po përpiqet të zbulojë detaje të tjera rreth këtij trafiku.

n.e/NOA

KOMENTE