Tiranë, 9 shkurt, NOA - Partia e Ballit Kombëtar Demokrat ka qenë gjithmonë e mendimit se e keqja më e madhe për shoqërinë e sotme ka qenë dhe mbetet mentaliteti komunist i shoqërisë. Një fakt të tillë e ka bërë me dijeni publikisht kreu i kësaj partie, Artur Roshi gjatë një deklarate për shtyp. Sipas tij, "vepra malinje e diktaturës nuk mbaroi me shembjen e sistemit, pas saj Shqipëria mbeti si një tokë e minuar".
"Diktatura komuniste i bëri krimet, por mosdënimi i tyre në këto njëzet nga një pjesë e politikës e bën atë bashkëpunëtorë të tyre. Rrëzimi i ligjit të lustracionit nga Gjykata Kushtetuese ishte shembull i qartë i ngurrimit të segmenteve të caktuara të shoqërisë sonë për t'u ndarë me të shkuarën kriminale të komunizmit", thuhet në deklaratën e Roshit.
Më tej, PBKD shton se ka hedhur herët idenë për krijimin e Insitutit të Studimit të Krimeve të Komunizmit dhe përshëndet vendimin e mazhorancës për ta ngritur sa më shpejt atë.
"Zbulimi i trupave të pushkatuar në luginën e Dajtit pak ditë më parë, ndërkohë që në vend ka një debat të mprehtë për dënimin e krimeve të komunizmit, është një goditje e rëndë ndaj ndërgjegjes dhe kujtesës së kombit. Si ai varr masiv, në Shqipëri ka edhe shumë të tjerë, gjetja e të cilëve do të ishte lehtësuar nëse ne do të kishim hapur arkivat.
Zbulimin, studimin dhe publikimin e krimeve të komunizmit s'duhet ta shikojmë si hakmarrje politike të një pale ndaj një pale tjetër, por si një shërbim të domosdoshëm për brezat e ardhshëm, që t'u lëmë një shoqëri me kujtesë të kthjellët dhe ndërgjegje të pastër", përfundon deklarata e PBK-së.
n.e/NOA