English

Rama: Vlerësojmë tryezën e Presidentit, është përpjekje për zgjidhjen e krizës

Fier, 9 shkurt, NOA - Kryesocialisti Edi Rama gjatë panelit të radhës me gazetarët, ka përshëndetur tryezën e thirrur nga Presidenti i Republikës duke uruar që kjo sipas tij të arrijë të zgjidhë krizën politike dhe institucionale në vend.

"Dua ta vlerësoj këtë moment si shprehje e progresit të bërë në një përpjekje që tashmë nuk është vetëm e jona, por edhe e miqve dhe partnerëve ndërkombëtarë, për të zgjidhur një krizë që thellohet dita ditës me implikime të rënda në të gjitha fushat e jetës së vendit", mësohet të ketë deklaruar Rama lidhur me një fakt të tillë.

Nga ana tjetër, ai ka bërë me dijeni se së bashku me disa kolegë, nesër do të niset në Strasburg për një ditë të komunikimit masiv me miqtë e Partisë Socialiste Evropiane, të cilët sipas tij janë seriozisht të angazhuar për të dhënë kontributin e tyre në zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri.

" Me këtë rast e shoh të rëndësishme të theksoj edhe se vazhdimi i komunikimit me të gjithë aleatët tanë, të Fronit Opozitar, është pjesë e këtij procesi në përgatitjen, jo vetëm të tryezës së dialogut, por edhe i të gjitha hapave që parashohin kontributin tonë për zgjidhjen e kësaj krize", tha më tej Rama.

Lidhur me çështjen e hapjes së kutive, ai ka pohuar se ai mbetet një kusht i patjetërsueshëm për të patur një hetim të plotë dhe për të garantuar një transparencë të gjithë procesit zgjedhor, në funksion të Kushtetutës dhe ligjit, duke zbërthyer të gjithë elementët që e përbëjnë procesin.

"Ne nuk duam të hapim kutitë për të përmbysur pushtetin në tavolinë. Ne duam të hapim kutitë për të hetuar procesin dhe përmes hetimit të procesit, të plotësojmë të gjithë kuadrin kushtetues për një hetim parlamentar me të gjitha aspektet, të cilat duhet ta shqetësojnë dhe vënë në lëvizje parlamentin e vendit kur bëhet fjala për të trajtuar këtë çështje dhe për t'i dhënë zgjidhje një sërë problemesh që dalin nga hetimi", tha Rama rreth kësaj çështje.

n.e/NOA

KOMENTE