English

Siguria e rrugëve, Policia dhe Doganat kanë kontrolluar 17.214 automjete në vend

Tiranë, 9 shkurt, NOA - Policia e Shtetit në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave kanë marrë disa masa të përbashkëta në kuadër të shtimit të sigurisë në akset rrugore të vendit.

Bëhet me dijeni nga burime zyrtare për agjencinë e Lajmeve NOA se në kuadër të këtij plani, gjatë datave 4-8 shkurt në të gjithë vendin janë organizuar dhe realizuar kontrolle të përbashkëta të shërbimeve të Policisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, konkretisht në 17.214 automjete.

Ndërkohë, për shkeljet e konstatuara ndaj drejtuesve të automjeteve janë marrë 6937 masa administrative gjobë, si dhe janë bllokuar 325 automjete.

Po në kuadër të këtyre kontrolleve, burimet bëjnë me dijeni se është marrë masa e pezullimit të lejes së drejtimit në 150 raste për drejtuesit e automjeteve, nga të cilat 126 për ecje me shpejtësi tej normave të lejuara, 12 raste për përdorim të pijeve alkoolike si dhe 12 raste për shkelje të tjera.

Ndërkaq, thuhet se kontrollet do të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim.

n.e/NOA

KOMENTE