English

Skandali, Kaçi ka luajtur në baste me Apoloninë

Flet drejtori i Kontrollit të Brendshëm të Apolonisë, Andi Derhemi

Fier, 9 Shkurt NOA - Drejtori i Kontrollit të Brendshëm në Klubin e Futbollit "Apolonia", Andi Derhemi, akuzoi sulmuesin shkodran të Apolonisë për trukim të ndeshjes Shkumbini-Apolonia, që përfundoi me rezultatin 3-0.

"Kaçi akuzohet se e ka kuotuar ndeshjen Shkumbini-Apolonia, në një kompani bastesh. Informacionin na e ka dhënë shefi i klubit, Iljaz Haxhiaj, para ndeshjes me Flamurtarin. Një person nga Fieri i ka thënë Haxhiajt se Kaçi ka kërkuar para ndeshjes me Shkumbinin 10 mijë euro borxh, për t'i luajtur bast.

I njëjti person ka pohuar se shuma është vënë për ndeshjen Shkumbini-Apolonia, që do të fitohej në të dy pjesët nga Shkumbini.

Kaçi ka qenë protagonist i penalltisë së shkaktuar, në minutën e 5-të të ndeshjes, e cila është kthyer në gol nga Çaushaj për Shkumbinin.

Haxhiaj ka dhënë urdhër që Kaçi të mos përfshihej në skuadrën anti-Flamurtar, duke nisur hetimin për rastin e denoncuar. Menjëherë, pas ndeshjes me Flamurtarin, në mbledhjen e ditës së hënë, Haxhiaj i ka akuzuar lojtarët se janë të përfshirë në shitje të ndeshjeve të Apolonisë. Akuzë që nuk është pranuar nga lojtarët.

Në këtë situatë, Haxhiaj i është drejtuar Kaçit, duke i drejtuar gishtin atij. Natyrisht, duke i treguar edhe akuzën e mbërritur në adresë të tij. Akuza është shoqëruar me fakte, duke e ballafaquar me personin që i kishte marrë borxhin. Në këtë moment Kaçi e ka pranuar rastin, por ka shtuar se e ka bërë këtë gjë vetëm një herë të vetme, në rastin e ndeshjes me Shkumbinin.

Ndërkohë, denoncimi për këtë rast ka mbërritur edhe në prokurori çka i është bërë e ditur edhe vetë lojtarit shkodran. Ky i fundit, i pezulluar nga Apolonia, ka thënë se ka edhe lojtarë të tjerë të skuadrës fierake, që luajnë baste, por ai nuk ka dashur t'i tregojë shokët", - përfundon Derhemi.

Edhe drejtuesit e klubi Apolonia janë shprehur se lojtarët kanë trukuar ndeshjet, pasi paraqitjet e dobëta të skuadrës vërtetojnë një gjë të tillë.

Kështu, pritet që me këto të dhëna që kanë depozituar drejtuesit fierakë, të merret prokuroria, por gjithsesi rasti në fjalë përbën një skandal të vërtetë për futbollin dhe besueshmërinë e kampionatit tonë para tifozëve, që ndjekin ekipet e tyre.

r.b/NOA

KOMENTE