English

Takime në Presidencë apo te Presidenti?

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, vendosi që të thërrasë tryezën politike, ditën e shtunë më 13 shkurt 2010, në orën 11.00, në Selinë e Presidentit. Vendimi është marrë pas konsultimeve me ambasadorët më të rëndësishëm të Perëndimit në Shqipëri, Ambasadorin e SHBA John Withers, me Kreun e Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Ambasadorin Helmut Lohan, si dhe me Ambasadorin e Mbretërisë së Spanjës, Manuel Montobio de Balanse. Zoti Topi po ashtu konfirmoi se ka pasur kontakte dhe me Kryeministrin dhe Kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe Kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama

Mero Baze*

Presidenti Bamir Topi do të ndeshet ditën e shtunë për herë të parë me një mision që i ka munguar institucionit të Presidentit të Shqipërisë së paku pas vitit 1998, kur kompetencat e tij u sanksionuan me kushtetutë. Ai do të përpiqet sipas rekomandimeve ndërkombëtare të ulë në një tryezë bisedimesh dy udhëheqësit kryesorë politikë në Shqipëri, të cilët një vit më parë, u ulën bashkë, pa nevojën e askujt për të dobësuar fuqinë politike dhe institucionale të Presidentit të Republikës.

Një vit më pas, dy njerëzit e plotpushtetshëm politikisht të Shqipërisë, kanë nevojë për viktimën e tyre që të ndërmjetësojë një krizë, e cila mund t'i nxjerrë rrënjët demokracisë shqiptare nëse nuk zgjidhet sa më shpejt.

Debati real që lind në këtë rast ka të bëjë me faktin se deri ku do të shtrihet roli i Presidentit në këtë ndërmjetësim? Formalisht, edhe Berisha edhe Rama, me kushtëzimet e tyre në distancë, kanë pranuar të ulen me ndërmjetësinë e zotit Topi. Por kjo deri tani është e gjitha një shoë, derisa sa nuk ka një skemë të zhvillimit të bisedimeve. Së pari, duhet të qartësohet nëse zoti Topi do të ofrojë mjediset e Presidencës apo fuqinë e presidentit në këto bisedime.

Nëse ai do të ofrojë vetëm zyrën e tij në presidencë dhe qëndrimin si dëshmitar i bisedimeve, atëherë jemi para një formaliteti që përfundon me dështim. Nëse ai do të ofrojë rolin e tij si President, atëherë ai duhet të paraqesë dhe t'u imponojë planin e tij për zgjidhjen e krizës. Pra pikëpyetja e parë e madhe është a do të ketë një "Plan të Presidentit Topi" për zgjidhjen e krizës, apo ky i fundit do të jetë dëshmitar i një dialogu ndoshta të dështuar.

Kjo do të jetë dhe diferenca e madhe mes rolit të Presidentit dhe formalitetit të tij në jetën politike shqiptare. Së dyti, ekziston mundësia të ketë një plan ndërkombëtar për zgjidhjen e krizës, siç dhe e skiconte afërisht rezoluta e Këshillit të Evropës. Në këtë rast zoti Topi do ta ketë më të lehtë, pasi do të negociojë me dy liderët planin ndërkombëtar, të ofruar me konsensus nga ambasadorët e Perëndimit në Shqipëri.

Nëse do të jetë ky skenar, do të kapërdihej më lehtë nga të dy palët dhe ndoshta do të kishte më shumë sukses. Së treti, ekziston mundësia e gjetjes rrugës të një plani, por kjo do të jetë një sfidë e rrezikshme. Bisedimet e nisura pa një platformë, mbi të cilët do të negociohet, mund të futen në një spirale të dështuar tekash dhe dogmash politike. Sidoqoftë, fakti që palët kanë pranuar të ulen në tryezë të shtunën, është një sukses i ndërkombëtarëve dhe presionit të tyre, më shumë se sa fitore e palëve politike në Shqipëri, ndaj dhe për një sukses të mëtejshëm duhet të zgjedhim një skenar ku të përfshihet negociata mbi një plan të ofruar nga Perëndimi.

Ndryshe, tryeza politike e thirrur ditën e shtunë, do të jetë thjesht një formalitet për të provuar se askush nuk luan nga pozicionet e veta. Presidenti Topi do të dilte i fortë politikisht nga kjo tryezë, pikërisht nëse arrinte të bindte palët të pranojnë një projekt të negociuar dhe aprovuar më parë nga Perëndimi.

Kjo do të ishte dhe ndjesa më e mirë që dy palët e krizës, mund t'i kërkojnë institucionit të Presidentit, të cilin një vit më parë e zhveshën nga të gjithë fuqitë dhe autoriteti politik.

(*) Dërguar nga autori, qëndrimet janë personale

KOMENTE