English

Topalli pret në një takim ambasadorin e ri të Izraelit

Tiranë, 9 shkurt, NOA - Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka pritur në një takim gjatë ditës së sotme ambasadorin e ri të Izraelit në Shqipëri, David Cohen, shoqëruar dhe nga zonja e tij. Nga ana e saj, Topalli shprehu kënaqësinë e veçantë për takimin me ambasadorin izraelit, vend me të cilin sipas saj, Shqipërinë e lidh një histori guximi dhe krenarie, ajo e mbrojtjes së një komuniteti hebrejsh nga rregjimi nazist gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Vetë ambasadori Cohen vlerësoi veçanërisht qëndrimin kurajoz të shqiptarëve duke shfaqur interesimin për mbledhjen e mëtejshme dokumentave të kohës nga arkivi shqiptar për t'i paraqitur ato në Izrael e më gjerë.

Më tej, kryetarja e Kuvendit nënvizoi faktin se jo vetëm shqiptarët, por dhe qëndrimi politik i qeverisë së atëhershme, ishte në mbrojtje të hebrejve. Por biseda u përqendrua në marrëdhëniet ndërparlamentare mes dy vendeve. Ambasadori izraelit theksoi se gjatë misionit të tij, do të ketë prioritet të axhendës së tij diplomatike, rritjen e shkëmbimeve parlamentare dhe vizitave të ndërsjella të deputetëve mes Shqipërisë dhe Izraelit. Mes të tjerash, kryetarja e Kuvendit dhe ambasadori Cohen folën dhe për forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në fusha të ndryshme të zhvillimit kryesisht në arsim, edukim dhe kulturë. n.e/NOA

KOMENTE