English

Bashkësia Islame e Maqedonisë e Kosovës, ndihma për përmbytjet

Tiranë, 10 shkurt, NOA - Organizata joqeveritare dhe institucione të ndryshme, individë dhe subjekte fizikë e juridikë, vijojnë të japin ndihma të konsiderueshme monetare dhe materiale në ndihmë të familjeve që u dëmtuan nga përmbytja që ndodhi në muajin janar në qarqet Shkodër dhe Lezhë. Në ndihmë të këtyre banorëve janë solidarizuar edhe bashkësia islame e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë. Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare të ministrisë së Brendshme për agjencinë e Lajmeve NOA, sipas të cilave bashkësia islame e Kosovës do të japë një kontribut financiar prej 83 mijë euro në ndihmë të banorëve që u dëmtuan nga përmbytja në qarkun e Shkodrës dhe qarkun e Lezhës.

Kjo ndihmë iu bë e ditur gjatë një bisede telefonike ministrit të Brendshëm, Lulëzim Basha nga kryetari i kësaj bashkësie, Naim Tërnava.

Nga ana tjetër, edhe bashkësia islame e Maqedonisë do të ofrojë gjithashtu ndihma të konsiderueshme monetare për familjet që pësuan dëme nga përmbytjet natyrore në Shkodër dhe Lezhë, konkretisht 58 mijë euro dhe 9 mijë franga zvicerane.

Ndihma u konfirmua nga kryetari i Bashkësisë Islame të Maqedonisë, Sulejman Rexhepi, i cili u prit në një takim të veçantë nga ministri i Brendshëm, Lulëzim Basha.

Basha nga ana e tij, shprehu vlerësimet për solidaritetin dhe po ashtu edhe falënderimet e tij për kontributin financiar të Bashkësisë Islame të Kosovës dhe asaj të Maqedonisë, në ndihmë të familjeve që pësuan dëme në banesa dhe në ekonominë e tyre bujqësore si pasojë e përmbytjeve natyrore që ndodhën në muajin janar në qarkun e Shkodrës dhe qarkun e Lezhës.

n.e/NOA

KOMENTE