English

Berisha feston ditëlindjet e Hoxhës, Popës dhe Demirajt

Kryeministri merr pjesë në ceremoninë e ditëlindjeve të akademikëve prof. Shaban Demiraj, prof.dr. Ylli Popa dhe prof. Farudin Hoxha

Tiranë, 10 Shkurt NOA - Kryeministri Sali Berisha mori pjesë sot në mbrëmje në ceremoninë festive, me rastin e ditëlindjeve të 3 akademikëve të shquar, prof. Shaban Demiraj, për 90 vjetorin e lindjes së tij, prof. dr. Ylli Popa për 80 vjetorin e lindjes së tij dhe prof. Farudin Hoxha për 75 vjetorin e lindjes së tij. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Kryetari i Akademisë së Shkencave z. Gudar Beqiraj, anëtarë të kësaj akademie, miq e të ftuar të tre personaliteteve, etj.

Berisha vlerësoi lart kontributin akademik të këtyre tre personaliteteve të mëdha të vendit, të cilët ai i cilësoi si kollosë të mendimit shkencor dhe mendimit akademik shqiptar.

"Prof. Shaban Demiraj, njëri nga lëvronjësit më të shquar të gjuhës shqipe, e cila në një aspekt, përbën doktrinën e të gjitha doktrinave të mendimit shqiptar. Prof. Shaban Demiraj, në traditën më të shkëlqyer të gjuhëtarëve të mëdhenj të kombit, dha një ndihmesë të jashtëzakonshme në drejtimin e Akademisë së Shkencave, por edhe në gjuhën shqipe, lëvrimin e saj. Studimet e tij shndrisin në fushën e gjuhësisë dhe mbeten si monumente të studimeve do të thosha ndër më të rëndësishme. Gjuha shqipe, problemet dhe disa figura të rëndësishme të saj, Gjuha amtare gjatë shekujve, Gjuhësi ballkanike, Kongresi i Manastirit, janë ndër botimet e reja të prof. Shaban Demiraj", - theksoi shefi i qeverisë.

Dhe iu drejtua atij: "Dua të them se të gjithë në që jemi këtu të shohim me një lakmi të madhe gjallërinë, freskinë që ju keni në 90 vjetorin tuaj. Vërtetë sot jeni me një mjet të përkohshëm që ju ndihmon, por sot ne na dukesh absolutisht si 20-30 vjet më parë, prodhimtar dhe i përkushtuar si gjithmonë. Në emër të qeverisë, të uroj jetë të gjatë dhe të falënderoj me shumë mirënjohje për kontributin që keni dhënë".

***

Prof. Ylli Popa, është një nga shkencëtarët e shquar të mjekësisë shqiptare, themeluesin e kardiologjisë moderne të këtij vendi, drejtues i talentuar i Akademisë së Shkencave, humanist i madh.

Ylli Popa i përkushtoi veten, dijet e tij, si pak kush tjetër, shëndetit të qytetarëve shqiptar. Ai shërbeu me një përkushtim të madh dhe është pa mëdyshje njëri prej mendjeve më kompetente të mjekësisë shqiptare.

"Kam pasur fatin shumë e madh që më për shumë vite të punoja në një klinikë me të. Sigurisht, një klinikë që drejtohej prej tij dhe që përpiqej të kapte horizonte gjithnjë e më të gjera", - tha Berisha.

Ai vlerësoi se Profesor Ylli Popa është, jo vetëm një nga figurat më të ndritura të mjekësisë shqiptare, por ata që e njohin nga afër kanë pasur rastin të njohin një nga eruditët më të rrallë.

"Në vitin 1990, ai ishte ndër intelektualët e parë që do të bënte thirrje për hapjen e vendit ndaj vlerave perëndimore. Ai do të drejtonte më vonë, me përgjegjësi të madhe, së bashku me kolegë të tjerë, Komitetin e Helsinkit, duke e shndërruar atë në një "ombudsman" të vërtetë të lirive dhe të të drejtave të qytetarëve të një shoqërie që dilte nga totalitarizmi më ekstrem dhe më i thellë. Për mua është një nder i madh që, në emër të qeverisë, t'i uroj profesor Doktor Ylli Popës jetë të gjatë, shëndet dhe suksese shumë më të mëdha", - tha kryeministri.

Më tej ai u ndal te Farudin Hoxha, siç tha, "një figurë tjetër të mendimit shkencor shqiptar, njëri prej arkitektëve kryesorë të sistemit energjetik shqiptar, të digave, njeriut i cili shkriu të gjithë dijet dhe talentin e tij në funksion të ndërtimit të një sistemi energjetik jetik për vendin dhe për zhvillimin e tij".

Berisha përmendi se prof Farudin Hoxha, sërish, 3 vite më parë, kur realisht ujërat e vendit, pasuria nr.1 e qytetarëve shqiptarë, ishin lënë në harresë, së bashku me një grup kolegësh të tij, inxhinierë të talentuar, ai u shndërruar në promotor kryesor të një politike e cila kishte si synim madhor shfrytëzimin e potencialeve të mëdha ujore të vendit dhe shndërrimin e tyre në vepra të reja hidroenergjetike.

"Prof. Farudin Hoxha, me këtë grup, me një profesionalizëm të madh, me ndershmëri e përkushtim, bëri të mundur që të çelet një kapitull i ri në ndërtimin e veprave energjetike, nga jugu i vendit deri në Alpet e Shqipërisë. Studimet e tij në ekosistemin e Liqenit të Shkodrës, janë studime të kryera vitet e fundit dhe që përbëjnë një platformë solide shkencore për projektet e ardhshme në këtë sistem", - theksoi kryeministri.

Kurse në përfundim, ai ngriti "një dolli për prof. Shaban Demirin dhe familjen e tij, prof. Ylli Popën dhe familjen e tij, për prof. Farudin Hoxhën dhe familjen e tij".

e.r/NOA

KOMENTE