English

Enciklopedia e re, nuk lejohen akademikë nga Shqipëria e Kosova

Shkup, 10 shkurt, NOA - Akademia e Shkencave dhe Arteve Maqedonase (ASHAM) nuk do të lejojë që historianët shqiptarë nga Shqipëria dhe Kosova, që janë studiues dhe akademikë të shquar të historiografisë shqiptare të jenë pjesë apo të konsultohen lidhur me hartimin e Enciklopedisë së re. Kjo është bërë me dije në një nga mbledhjet e fundit të kryesisë së ASHAM, ku është diskutuar lidhur me formimin e redaksisë së re, njoftojnë burime të brendshme të këtij institucioni për agjencinë e lajmeve INA.

Përveç kësaj një vendim skandaloz që do të miratohet nga ASHAM dhe këshilli redaktues është se Enciklopedia e re do të botohet vetëm në një formë të një shtojce, ku janë pjesët kontestuese lidhur me historinë e shqiptarëve dhe çështjen e bashkësisë ndërkombëtare, ku pati shtrembërime dhe qasje tendencioze në pasqyrimin e të vërtetës për shqiptarët në Maqedoni dhe më gjerë.

"Po shqyrtohet mundësia që të versioni i Enciklopedisë së parë Maqedonase të mbetet ashtu, por këshilli i ri redaktues për shkak të mungesës së buxhetit dhe kushteve të tjera, të angazhohet vetëm për vëllimin që ka të bëjë me pjesët kontestuese dhe shtrembëruese", theksoi për INA, burimi pranë ASHAM, i cili bën të ditur se emërtimi edhe i botimit shtesë të Enciklopedisë sigurisht do të mbajë titullin "Enciklopedia Maqedonase". Akademiku Alajdin Abazi, në cilësinë e anëtarit të rregullt të ASHAM nuk ka komentuar këto pohime, duke theksuar se gjatë këtyre ditëve do të vijojnë konsultimet lidhur me çështjen e enciklopedisë. "Këto ditë do të sqarojë të rejat më të fundit lidhur me çështjen e enciklopedisë", ka qenë përgjigja e akademikut Abazi, duke mos dhënë hollësi të tjera. Në këshillin e ri redaktues janë siguruar vendet për dy anëtarë shqiptarë, ndër të cilët do të jetë Alajdin Abazi, për shkak të pozicionit të anëtarit të rregullt në ASHAM. Ai pritet të jetë koordinator i projektit për pjesët me historinë shqiptare, ndërsa për rreth tij do të jenë të angazhuar historian vetëm nga Maqedonia, për shkak të ndalesës për historianët nga Kosova dhe Shqipëria.

ASHAM gjithashtu akoma nuk ka kërkuar asnjë bashkëpunim nga akademitë homologe në Prishtinë dhe Tiranë, lidhur me grumbullimin e materialeve arkivore shkencore rreth historisë shqiptare.

NOA-INA

KOMENTE