English

Giffoni: Rol lehtësues në dialogun mes komuniteteve në Kosovë

Prishtinë, 10 shkurt, NOA - Ambasadori italian në Kosovë, Michael Giffoni, i emëruar si përfaqësues i Bashkimit Evropian për veriun e Kosovës, i tha BBC-së se roli i tij do të jetë në lehtësimin e dialogut ndërmjet komuniteteve me qëllim të depolitizimit dhe zgjidhjes të çështjeve të jetës së përditshme të qytetarëve. Ai tha se nuk do të luajë një rol të ndërmjetësit ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, por në dialogun për çështjet jetike të komuniteteve në veri, do të përfshijë, siç tha të gjitha palët e interesuara, pa e përjashtuar edhe Beogradin zyrtar. Ambasadori tha se që nga muaji i ardhshëm do të hapet një "shtëpi e BE-së" në veri, që sipas tij, nënkupton forcimin e pranisë së BE-së dhe një rol të rëndësishëm të saj në këtë pjesë, në periudhën e stabilizimit dhe konsolidimit të Kosovës. Giffoni përjashtoi çdo ndërlidhje të misionit të tij në veri me strategjinë e Zyrës Civile Ndërkombëtare (ICO) dhe të autoriteteve të vendit, duke e cilësuar misionin e tij, vetëm si promovues të vlerave të BE-së në terren.

Z. Giffoni, cili është roli i "shtëpisë së BE-së" në Kosovë?

- Mendoj se nuk mund të bëjmë dallime mes zyrtares dhe jozyrtares, por një gjë është e qartë se ky nuk ishte një emërim zyrtar i një përfaqësuesi në veri. BE-ja nuk ka nevojë për këtë. Ajo që është thelbësore në këtë vendim që BE-ja e mori muaj më parë, është se ka nevojë për të përmirësuar praninë, dukshmërinë dhe kredibilitetin e BE-së në veri. Për ta bërë këtë u vendos që të më jepet ky rol joformal si një lloj lehtësuesi sikur mund të përshkruhet një lidhje e përbashkët.

Kjo nënkupton që të forcohet prania e përgjithshme dhe një rol i rëndësishëm i BE-së në veri të Kosovës në këtë fazë aktuale të procesit të stabilizimit dhe konsolidimit të Kosovës. Në fakt unë veproj në tri vija, dhe ne i quajmë ato si tri drejtime parësore. E para, ka të bëjë me ndihmën e vendosjes së një pranie efektive të BE-së në veri, me pjesëmarrjen e të gjitha komponentave të saj, përfshirë edhe EULEX-in që ndodhet tashmë atje, pastaj të Komisionit Evropian që ka zhvilluar plane dhe projekte atje. Në fund të këtij procesi ne do të kemi një "shtëpi të BE-së" në veri dhe ne do të fillojmë së shpejti këtë në disa ndërtesa të përkohshme ndërkohë që muajin e ardhshëm do të kemi një prani të përhershme.

Dhe pastaj faza e dytë është përmirësimi dhe promovimi i vlerave dhe pikëpamjeve të BE-së, megjithëse të tilla veprime tashmë ekzistojnë siç janë ato në fushën sociale dhe të ekonomisë, ashtu siç bën Komisioni Evropian. Dhe në të njëjtën kohë të promovojnë nisma të reja. E fundit është intervenimi në sektorë ku komuniteti vendas ka nevojë për një ndihmë të jashtme me qëllim të zgjidhjes së disa çështjeve urgjente, por shumë konkrete dhe praktike siç është rindërtimi i shtëpive për refugjatët ose projektet ekonomike dhe sociale. E tërë kjo nënkupton që të depolitizohen çështjet si këto dhe unë veproj këtu.

Të jemi më të saktë. Kur thoni lehtësues çka nënkupton kjo. Lehtësues ku dhe ndërmjet kujt?

- Para së gjithash në lehtësimin e dialogut ndërmjet komuniteteve dhe të intervenohet në nivel komunal me qëllim të depolitizimit të një çështjeje, ose të çështjeve që janë më me urgjencë. Sikur e thashë kjo nuk është përgjigje e një qasjeje nga lart poshtë, dhe unë nuk dua të jem një lloj negociatori zyrtar ndërmjet kryeqendrave meqë ky nuk është roli im. Kjo i përgjigjet nevojës, që është përmendur shumë qartë nga BE-ja, për të intervenuar me një qasje të re në veri, që nënkupton një qasje nga poshtë-lart me qëllim të identifikimit të problemeve dhe të çështjeve urgjente me të cilat komunitetet lokale përballen dhe kanë nevojë t'i zgjidhin.

Dhe pastaj të provojë që këtu të luajë lehtësuesin në dialog dhe t'i bindë se ka mënyra ku integrimi i të gjitha komuniteteve në Kosovë është i mundur dhe kjo është pjesëmarrja në jetën administrative dhe të përditshme. Kjo është ajo që unë po provoj të bëj.

Mund ta quaj rolin tuaj si një lloj ndërmjetësuesi ndërmjet Prishtinës dhe veriut të Kosovës, të serbëve atje?

- Unë nuk do ta theksoja këtë fjalë ndërmjetësues, por do ta theksoja rolin e një lehtësuesi. Prandaj unë do të lehtësojë dialogun ndërmjet të gjitha palëve të interesuara. Unë nuk mund të përshkruaj një rol të qartë me një ndërmjetës të caktur. Unë flas me të gjithë që janë të interesuar për të gjetur zgjidhje konkrete dhe që do të ketë ndihmë nga BE-ja.

Pse e vendosët që të hapni këtë "shtëpi të BE-së" në veri? Nga frika e humbjes së një pjese të Kosovës?

- Absolutisht jo. Siç e thashë kjo i përgjigjet kryesisht konsideratave që vijnë nga Brukseli dhe që janë të ndërlidhura me praninë në terren. Ne e ndjejmë se ka nevojë që të kemi një prani të përhershme për të theksuar faktin se duam të kuptojmë se çfarë ndodh në terren dhe ta ngrisim këtë qasje për të kuptuar problemet e vërteta dhe konkrete në terren. Prandaj mendoj se ishte me kohë kjo nismë. Nuk mendoj se ishte e përshpejtuar dhe as e vonshme. Mendoj se ishte në një kohë të drejtë dhe të shpresojmë se do të funksionojë.

Dhe cili do të jetë qëndrimi juaj ndaj Beogradit? Ai është gjithashtu, ta quaj një lloj pale, në veriun e Kosovës?

- Ashtu siç e thashë, çdokush që ka nevojë për ndihmë dhe është i gatshëm të hap dialogun dhe kanalin e komunikimeve është i përfshirë në këtë ndërmjetësim timin. Unë nuk kam asnjë problem që të jem në disponim të të gjithëve.

Pra do ta diskutoni me Beogradin integrimin e veriut në Kosovë?

- Natyrisht se po. Të mos harrojmë, siç e thashë që në fillim, se ky nuk është një rol zyrtar. BE-ja ka përfaqësuesin e saj në Prishtinë dhe gjtihashtu edhe në Beograd, zotin Sorensen. Prandaj unë do të intervenojë vetëm kur ka një lidhje të veçantë me një situatë të posaçme në veri dhe kur kjo lidhet me një problem të veçantë që duhet të zgjidhet në terren. Por unë nuk do të intervenojë në parim si një ndërmjetës, meqë ka zyrtarë të tjerë që e përfaqësojnë BE-në zyrtarisht për ta bërë këtë. Por, unë do të punojë duke vepruar posaçërisht në terren, nëse ka një problem psh të posaçëm në veri të vendit, që ka të bëjë me shfrytëzimin e shërbimeve që mund të zgjidhen dhe nëse kjo përfshinë edhe Prishtinën e Beogradin atëherë ka një rol. Por kjo nuk mund të përkthehet menjëherë në nivelin më të lartë.

Mund t'ju pyes nëse roli juaj ka të bëjë në njëfarë mënyre edhe me strategjinë e Zyrës Civile Ndërkombëtare dhe qeverisë së Kosovës për integrimin e veriut?

- Absolutisht jo. Sepse ky është një rol që është vendosur më heret dhe kryesisht ka të bëjë me një rol të BE-së, megjithëse është joformal. JU e dini se strategjia është një dokument më gjithpërfshirës që është hartuar nga institucionet e tjera dhe nuk mund të ketë një përcjellje të BE-së. Unë punoj vetëm me Brukselin dhe me familjen e BE-së në terren. Natyrisht ne punojmë në të njëjtin vend dhe është e qartë se ka aspekte që kanë lidhje me rolin tim por siç e thash, kjo nuk është zyrtare. Nuk mund të jetë një rol që lidhet me strategjinë si një lloj legjitimimi ose të veprimi.

Por a nuk po e dyfishoni rolin e BE-së në veri, marrë parasysh se edhe zyra e zotit Feith kërkon rol në atë pjesë?

- Nuk mund të them se çfarë do të ndodhë në të ardhmen dhe kjo nuk është tani për tani në plan. Ajo që unë kam filluar të bëjë është të punojë në terren për të forcuar rolin e BE-së dhe ta bëjë këtë më të dukshëm për njerëzit në veri, pra tek komunitetet atje. Kjo mund të ketë një ndikim të fuqishëm në situatën ekonomike dhe sociale atje dhe kjo mund të ketë ndikim në praninë e përgjithshme të BE-së dhe të rolit ta saj. Prandaj të shpresojmë se kjo do të ketë ndikim edhe ne perspektivën evropiane edhe për Prishtinën dhe Beogradin. Unë nuk do të bëjë plane për të ardhmen meqë punoj në terren dhe kjo është një diplomaci në terren.

Çfarë do të konsideroni si pengesën tuaj më të madhe në pjesën veriore, kur bëhet fjalë për integrimin e veriut në Kosovë?

- Do të jem shumë i saktë në këtë. Pengesa më e madhe për veprimin tim të përditshëm dhe konkret ëshjtë obsesioni me çështjen e statusit. Ky obsesion nuk është vetëm i pranishëm në terren, tek komuniteti lokal, por është edhe diçka që është i inspiruar nga burimet e tjera më relevante. Kjo është një pengesë që ndonjëherë, edhe në terren, e bën më të vështirë zgjidhjen e problemeve konkrete të njerëzve. Dhe kjo është diçka që do ta hapë rrugën nëse ne punojmë së bashku për të gjetur zgjidhje për jetën e përditshme.

Pra ju do të provoni të punoni pavarësisht nga statusi, jashtë tij?

Ambasadori Giffoni: Jo nuk e thashë se do të punojë pavarësisht statusit. Secili e di se cili ëhstë statusi, dhe unë jam ambasador i një vendi që e ka pranuar Kosovën. Prandaj ska dilemma për këtë që thash. Unë provoj që të ulë obsesionin për çështjen e statusit. Ai është një obsesion që mund ta vështirësojë jetën e përditshme të komuniteteve dhe të njerëzve, duke krijuar një lloj realiteti virtual dhetë mos përqëndrohemi në problemet e vërteta. Mendoj se edhe ne nga bashkësia ndërkombëtare nuk duhet të jemi të obsesionuar me këtë çështje të statusit, duke ritheksuar faktin se jemi neutral ndaj tij, ose përkrahës ose se po e zbatojmë. Të paktën për mua në këtë rol konkret të BE-së është diçka ndryshe. Siç e thash unë provoj të punoj në terren duke e vënë BE-në në shërbim të komuniteteve lokale për të zgjidhur çështje konkrete. Dhe kjo mund të bëhet pa ndonjë obsesion.

BBC

KOMENTE