English

INSTAT: Varfëria në zonat malore, 114 % më e lartë

Tiranë, 10 shkurt, NOA- Në Shqipëri ende një pjesë e popullsisë, kryesisht zonat malore, nuk ka kapërcyer pragun jetik. Ky fakt jepet nga të dhënat e Instat, të publikuara gjatë 2009, në anketën për matjen e nivelit të jetesës. Projekti më i madh i matjes së trendit të varfërisë në Shqipëri që nga viti 2002, i financuar nga Banka Botërore dhe PNUD tregoi se krahasuar me vitin 2005, përqindja e popullsisë së varfër është ulur nga 16.2% në 2005 në 13.0% në 2008.

Por ndryshe nga zona qendrore dhe bregdetare, zonat malore kanë mbetur prapa, duke zgjeruar distancën me zonat e tjera. Kryeqyteti ynë Tirana, megjithëse shfaq nivelin më të ulët të varfërisë, nuk ka pasur reduktim të mëtejshëm në krahasim me 2005 përkundrazi, një rritje e vogël në 8.7% në 2008 nga 8.1% në 2005).

Përqindja e të varfërve në zonat malore tregon për një ndryshim pothuajse të papërfillshëm nga 25,6% në 2005 në 26.6% në 2008. Nga analiza që kanë kryer ekspertët rezulton se brenda rajonit malor, problemi shfaqet në zonat rurale.

"Varfëria rurale në të gjitha rajonet e tjera kanë përjetuar një rënie të ndjeshme në vitin 2008, megjithatë në rajonin malor, varfëria rurale ka qëndruar pothuajse e njëjtë. Më konkretisht, ndërsa në rajonet rurale shkalla e varfërisë ishte 67% më e lartë se niveli kombëtar i zonave rurale në vitin 2002, dhe vetëm 14% më e lartë në vitin 2005, tani është 114,5% më e lartë" thuhet në raport.

a.b/NOA

KOMENTE