English

"Made in Albania" fituesja e Çmimit AMC Prize

Tiranë, 10 shkurt, NOA- Dila Gjinaj me punën e saj "Made in Albania", u shpall fituesja e çmimit për Artin Bashkëkohor 2009, ndarë nga AMC. Një realitet urban i kthyer në realitet artistik nga artistja, e cila përdor çizmet e llastikut, për të treguar simbolin e ndërtimeve të ethshme. Është viti i dytë që kjo kompani celulare mbështet këtë aktivitet dhe ndan çmime për studentët më të talentuar.

Mbrëmë, në ambientet e galerisë së Fakultetit të Arteve Pamore, pranë Akademisë së Arteve u zhvillua ceremonia e hapjes së ekspozitës "Maket", kuruar nga pedagogët Ardian Isufi dhe Najada Hamza, kushtuar arkitekturës dhe urbanistikës. Mes 22 artistëve pjesëmarrës, studentë të të atelieve të Grafikës, Modë&Tekstilit, Multimedias dhe Pikturës, u shpallën edhe më të mirët.

Gjithashtu u ndanë edhe tri çmime inkurajuese, të cilat iu dhanë studentëve Fabiola Zoto, Eriet Muçollari dhe Artemisa Cullhaj. Çmimi i parë merrte si shpërblim 500 euro, ndërsa çmimet inkurajuese, të tjera dhurata nga AMC. Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur në galerinë FAP, deri në datën 23 shkurt 2010.

s.m/NOA

KOMENTE