Tri vjet pas protestës së Lëvizjes "Vetëvendosje", në të cilën u vranë dy persona, ndërsa u plagosën dhjetëra të tjerë, ende nuk ka përfunduar rasti gjyqësor për vrasjen e Mon Balajt dhe Arben Xheladinit - dy viktimat e asaj proteste. "Vetëvendosja" dhe organizatat për të drejtat e njeriut, akuzojnë organet përgjegjëse për prolongimin e rastit dhe për mungesë të drejtësisë
Lëvizja "Vetëvendosje" kritikon administratën e Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe autoritetet përgjegjëse për krijimin e pengesave në vënien e drejtësisë për rastin e vrasjes së Arben Xheladinit dhe Mon Balajt. Tri vjet pas protestës së 10 shkurtit, e cila rezultoi me dy të vrarë dhe dhjetëra të plagosur, Kombet e Bashkuara ende nuk e kanë përmbyllur rastin. Aktivisti i Lëvizjes "Vetëvendosje", Glauk Konjufca, thotë se është prolonguar dhe penguar edhe puna në Panelin Këshillues për të Drejtat e Njeriut, si i vetmi organ që mund ta pranojë padinë për rastin.
"I vetmi vend ku mund të paditet, siç e dimë, është një institucion i UNMIK-ut. Ai është paneli këshillues i të Drejtave të Njeriut - të drejtë, të cilën e kanë shfrytëzuar familjet Balaj dhe Xheladini dhe dy të lënduarit më rëndë të kësaj demonstrate, Zenel Zeneli dhe Mustafë Nerjovaj. Por, edhe aty UNMIK-u ka intervenuar, duke i vendosur pengesa të patejkalueshme drejtësisë", shprehet Konjufca. Në tetor të vitit të shkuar, Kombet e Bashkuara u kishin ofruar familjeve të të vrarëve një kompensim në të holla. Konjufca thotë se me këtë ofertë, është synuar të blihet drejtësia përmes kompensimit, gjë që, sipas tij, është e papranueshme. Mungesa e drejtësisë, siç thotë ai, vjen në pah kur merret parasysh mosndëshkimi i pjesëtarëve të policisë së kontingjentit rumunë, që atëkohë kishin gjuajtur me plumba gome në drejtim të protestuesve dhe me riaktivizimin e procesit gjyqësor me akuzën për organizimin e protestës ndaj liderit të Lëvizjes "Vetëvendosje", Albin Kurti. "Përderisa UNMIK-u e ka mbyllur drejtësinë, në anën tjetër EULEX-i e ka hapur një padrejtësi të re, e që është riaktivizimi i procesit gjyqësor kundër Albin Kurtit, me aktakuzë të UNMIK-ut. Meqenëse EULEX-i po tregon që është i njëjtë si UNMIK-u, ne nuk kemi pse ta trajtojmë atë ndryshe", shprehet Konjufca. Mungesa e një vendimi në lidhje me rastin Balaj-Xheladini, ka nxitur kritika në radhët e organizatave vendore dhe atyre ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Kështu, organizata "Amnesty International" dhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, kanë shprehur shqetësimin ndaj vonesës për të vënë para drejtësisë përgjegjësit për, siç thuhet, vrasjet e paligjshme dhe lëndimet e rënda gjatë protestës së 10 shkurtit të vitit 2007.