English

Ora më e lartë diellore e botës, në Durrës

Në qytetin më të madh bregdetar të Shqipërisë do të ndërtohet ora më e lartë diellore në botë, ajo do të jetë e çeliktë dhe do të arrijë një lartësi 70 metra, duke qenë kështu objekti më i dalluar nga çdo skaj i qytetit. Ndërtimi i kësaj kulle gjigante nuk do të ndërtohej, nëse nuk do të ishte fituese e tenderit për qendrën e Durrësit, studioja britanike "3Ë Architecture Limited". Pas shpalljes së pesë projekteve që vazhduan garën, fituese doli ajo britanike, por të tjera studio do të vazhdojnë garën për projektin e rivitalizimit të sheshit "Iliria" të Durrësit.

Projektet erdhën nga 3 studio projektimi italiane, një portugeze dhe një britanike. Secila prej tyre ishte mbresëlënëse. Italianët këmbëngulnin për sheshe të boshatisura me shumë lulishte, me bar, kalldrëme dhe shumë mozaikë, të cilat do të jenë të ndaluara për makinat. Një propozim tjetër interesant, erdhi nga arkitektët portugezë, lidhur me konceptimin e sheshit të Durrësit si "Linea d'Ombra". Ideja e projektit ishte për shesh të mbuluar nga një tarracë gjigande, ndonëse nuk dihet konkretisht mënyra e realizimit të saj. Ndërsa anglezët u treguan më novatorë, duke premtuar ndërtimin e orës më të madhe diellore, të planetit në qendër të Durrësit. Një objekt i tillë i pazakontë ka rritur kërshërinë e shumë turistëve sapo janë njohur në internet për ta parë nga afër. Faza e parë e konkursit ndërkombëtar përzgjodhi 5 projektet e para, por në konkursin e zhvilluar vitin e kaluar, kanë paraqitur projektet e tyre 36 studio nga shumë vende të botës. Faza përmbyllëse bëri zgjedhjen e projektit fitues, për ndërtimin e orës madhështore, ajo ishte britanikja "3Ë Architecture Limited". Këto projekte janë shqyrtuar nga juria, e cila përbëhej nga 7 anëtarë dhe presidenti i nderit që është kryetari i bashkisë, Vangjush Dako. Anëtarët e kësaj jurie ishin arkitekti Alain Coussaran nga Franca; arkitekt Luca Zevi i Institutit Kombëtar Italian të Arkitekturës; Alberto Monti, i cili është arkeolog në Universitetin e Parmës; arkitekti Rocco Maragna nga Kanadaja; kritiku i artit Edi Muka; arkitekti Viktor Dhimgjini dhe arkitekti Marin Biçoku nga Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit. Në lidhje me rivitalizimin e këtij sheshi administrata e bashkisë ka parashikuar një vlerë të përafërt prej 5 milionë euro, e cila do të investohet në sistemimin arkitektonik dhe hapësirave të blerta brenda vitit 2010. Ruajtja e trashëgimisë kulturore të lashtë, duke i dhënë gjallëri qendrës së ardhshme të qytetit antik përbën një nga synimet kryesore të organizatorëve të këtij konkursi ndërkombëtar. Pas seancave përzgjedhëse, janë kualifikuar studiot italiane "Ottopignatti Studio Associato", "Idea Verde", "Mascino e Agnoletto", portugezja "Da arquitectos" dhe britanikja "3Ë Architecture Limited". Kjo e fundit ndodhet në Londër dhe ka projektuar një sërë sheshesh dhe objekte private e publike në Londër, Bristol, Venecia, Dublin etj. Studioja drejtohet nga arkitektët Christian Coop dhe Thoma Papa. Ky projekt ambicioz parashikon ndërtimin e orës diellore më të gjatë në botë, që do të jetë një kullë çeliku në qendër me lartësi 70 metra si dhe shëtitore për këmbësorë, shëtitore arkeologjike, lulishte me palma dhe pjesë ujore në formë minipishinash në shesh. Parashikimet e specialistëve dhe të disa prej anëtarëve të jurisë, janë optimiste. Durrësi, sipas tyre, i ndodhur mrekullisht mes lashtësisë dhe modernes, këtë sezon, falë promovimit edhe nga Ministria e Kulturës, do të thithë 50 për qind më shumë turistë se sezoni i vitit 2009. Duhet thënë se qysh tani kanë nisur interesimet dhe kërkesat nga afro 250 agjenci turistike evropiane dhe amerikane për vizitat e prenotuara për sezonin e ri turistik 2010. /Express/

KOMENTE