Tiranë, 10 shkurt, NOA - Forcat e policisë së Tiranës kanë vazhduar kontrollet ndaj atyre drejtuesve të mjeteve, të cilët janë debitorë në shlyerjen e detyrimeve të tyre duke i ftuar të paraqiten pranë çdo dege të Postës Shqiptare.
Sipas të dhënave që konfirmohen për agjencinë e Lajmeve NOA, vetëm gjatë ditës së djeshme policët rrugore kanë vendosur në Tiranë 949 gjoba, ndërsa kanë pezulluar 7 leje drejtimi.
Shtohet se kontrolle të shumta po ushtrohen në drejtim të vendosjes së rripave të sigurimit, kaskës mbrojtëse, kontrollit të shpejtësisë, përdorimit të alkolit nga drejtuesit e mjeteve, parkimet e gabuara etj.
Po ashtu, kontrolle të vazhdueshme do të ushtrohen kryesisht për parkimet e gabuara, apo parkimet dyshe në akset e qytetit të Tiranës.
Të gjitha këto masa janë ndërmarrë në kuadrin e programit të Punës së Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, me objekt forcimin e masave ndaj kundravajtësve me synim uljen e ngjarjeve aksidentale dhe pasojave te tyre.
n.e/NOA