English

Presion nga të gjitha anët, Parlamenti Evropian votoi Komisionin e ri

Komisioni i ri u votua me një shumicë të madhe votash prej eurodeputetëve, por para tij gjenden sfida të mëdha

Bernd Riegert

Jose Barrosos, presidentit të ri dhe të vjetër të Komisionit Evropian, nuk ka pse t'ia kesh lakmi. Ai ka presione nga të gjitha anët. Shtetet anëtare të BE-së kërkojnë prej tij që të respektojë interesat e tyre. Parlamenti Evropian e kundërshton mundësinë që ai të ketë më shumë ndikim në marrjen e vendimeve.

Ndërkohë që 26 komisionerët që duhet të udhëheqë Barroso paraqesin një grumbull heterogjen ish-kryeministrash, diplomatësh, njerëzish me përvojë dhe të rinjve në Bruksel.

Deri tani Barroso ka mbajtur në rastet e konflikteve anën e presidentëve dhe të kryeministrave të vendeve anëtare. Thënë më shkurt: kur thërriste kancelarja Merkel, Barroso merrte qëndrim gatitu.

Me axhendën e tij ekonomike ambicioze, José Barroso ka dështuar në përpjekjen e parë për shkak të kundërshtimit të qeverive dhe të parlamenteve. Tani me Barroson II, mandatin e dytë në këtë post, gjërat duhet të ndryshojnë.

Komisioni do të afrohet më shumë me Parlamentin dhe të shqyrtojë propozimet e europarlamentarëve për ligje të reja. Në të ardhmen do të bëhet i mundur edhe mocioni i mosbesimit ndaj njërit prej komisionerëve.

Marrëveshja e Lisbonës u ofron eurodeputetëve më shumë mundësi. Por vendimet në trekëndëshin e pushtetit në Bruksel: Parlamenti, Këshilli i Ministrave dhe Komisioni i BE-së, nuk do të thjeshtësohen.

Shtetet anëtare kanë dërguar në ekipin e José Barrosos jo gjithmonë njerëzit më të aftë. Portugezi konservator kishte në dorë të përcaktonte vetëm komisionet që do të udhëhiqen prej tyre. Në këtë drejtim ai ishte shumë kreativ: të gjithë komisionerët e mëparshëm kanë marrë detyra të reja, me qëllim që të mos marrin kompetenca dhe fuqi tepër të madhe.

Komisionet janë të ndara në mënyrë të tillë sa që shpesh mund të priten konflikte, ku Barroso mund të ndërhyjë dhe të dëshmojë fuqinë e postit të tij. Barroso siguron kështu pushtetin e vet, forcon sistemin presidencial, që vërehej edhe në mandatin e tij të parë.

Vendimet e komisionerëve nuk do të merren në kolektiv. Konfliktet duhet të zgjidhen para seancave të Komisionit, që është ndoshta edhe receta e vetme për të udhëhequr grupin e 27 komisionerëve.

Problemi kryesor i Komisionit është madhësia e tij. Për shumë politikanë nuk do të ketë detyra të mjaftueshme. Prandaj disa komisione dhe drejtori, që deri tani kanë qenë bashkë, tani janë ndarë.

Është shumë e mundur që gjendja në të ardhmen të përkeqësohet e jo të përmirësohet, sepse me pranimin e vendeve të reja në BE do të shtohet edhe numri i komisionerëve. Kjo dikur do të hakmerret, sepse në të ardhmen mund të kemi edhe 30 apo 35 komisionerë. Qeverisja e Komisionit do të jetë shumë e vështirë, sepse fuqia e nëpunësve do të rritet edhe më shumë.

Kërkesat ndaj komisionerëve janë zvogëluar. Më parë ata duhej të dinin anglishten dhe frëngjishten, ndërsa tani mjafton gjuha amtare. Komisioneri gjerman Günther Oettinger, me njohuritë modeste të anglishtes, nuk është i vetmi. Për komisionerët e rinj nuk do të thotë se Brukseli do të jetë një qorrsokak. Disa prej tyre mund të bëjnë karrierë që më pas mund të përfundojë me postin e presidentit në vendin e tyre, si në rastin e presidentes së Letonisë Dalia Grybauskaite. Gati pesë vjet me radhë ajo ishte komisionere për buxhetin e BE-së. /DW/

KOMENTE