Tiranë, 10 shkurt, NOA -Akademia e Shkencave do të raportojë me detyrim pranë Këshillit të Ministrave dhe vetë kryeministrit për punën e saj vjetore.
Një fakt i tillë përmbahet në ndryshimet e përgatitura prej ekspertëve të qeverisë brenda projektligjit "Për disa shtesa në ligjin nr. 9655 datë 11.12.2006, "Për Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë", i ndryshuar".
I miratuar nga ministrat në mbledhjen e sotme të qeverisë, në një ndër nenet e tij ai përcakton konkretisht që "brenda datës 15 dhjetor të çdo viti, Akademia e Shkencave të japë informacion për veprimtarinë e saj vjetore pranë Këshillit të Ministrave ose kryeministrit".
Ndër të tjera, një nen që i shtohet këtij projektligji, është edhe ai që parashikon se "akademikët e asociouar do të përfitojnë një shpërblim mujor në masën e përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave".
n.e/NOA