Rodos, Greqi, 10 Shkurt NOA - Vetëm një ditë pasi ishin dënuar përfundimisht me 20 vjet heqje lirie për afro 30 vjedhje, dy të rinj shqiptarë u arratisën nga burgu duke fituar lirinë dhe tani policia ka shpallur kërkim kombëtar ndaj tyre.
Ngjarja ndodhi gjatë natës duke gdhirë dita e sotme (e Mërkurë) dhe dy djemtë u larguan nga qelitë e paraburgimit pranë rajonit të policisë në Rodos të Greqisë, informon korrespondenti i agjencisë NOA.
Mësohet se shqiptarët e arratisur janë Nderim Disha një djalë 20 vjeç dhe një i dytë 28-vjeçar, Albert Tabaku, të cilët ishin ndaluar disa muaj më parë dhe vetëm ditën e Martë kishin marrë vendimin nga Gjykata e Apelit të Rodosit e cila i kishte dënuar dy shqiptarët me 20 vjet burgim për vjedhje në bashkëpunim në kuadrin e një organizate kriminale.
Dy shqiptarët, në rrethana ende të paqarta kanë arritur të gjejnë një limë dhe me të kanë prerë hekurat e dritares së qelisë së tyre duke fituar lirinë.
Pas dhënies së alarmit, kontrolli që vijoi ishte i kotë sepse dy shqiptarët ishin zhdukur në drejtim të panjohur.
Ngjarja vuri në lëvizje autoritetet sepse u urdhërua pezullimi i menjëhershëm i gjithë stafit të turnit dhe përgjegjësit të sigurisë së paraburgimit dhe ata akuzohen për lirim të burgosurish, referuar nenit 172 të Kodit Penal.
n.s./e.r/NOA