English

Shantazhi, skenar i Berishës apo alibi e opozitës?

"Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe OSBE, kujtuan sot dy liderët politikë në vend, t'i japin fund krizës në tryezën e bisedimeve dhe të angazhohen për reforma në drejtim të integrimit evropian të Shqipërisë. Deklarata e Ambasadës së SHBA në Tiranë, mbështet fortë dhe qartë Rezolutën e Këshillit të Evropës dhe rolin e Presidentit Topi në zgjidhjen e kësaj krize. Ndërkohë Kryetarja e Parlamentit Jozefina Topalli ka provokuar sërish opozitën duke konsideruar krizë bojkotin e opozitës dhe jo refuzimin për hetimin e zgjedhjeve, të cilin kërkon opozita"

Mero Baze*

Disa ditë para takimit të parë mes dy liderëve politikë për zgjidhjen e krizës, kryetarja e parlamentit të Shqipërisë Jozefina Topalli kërcënon opozitën me heqje mandatesh, nëse kriza nuk zgjidhet deri më 4 mars.

Në një dalje publike sot në Tiranë zonja Topalli bëri të qartë se Partia Demokratike nuk e shikon zgjidhjen e krizës nga bisedimet dhe hetimi i zgjedhjeve, por nga data 4 mars, e cila sipas saj është një datë, që i jep fund mandateve të kësaj liste deputetësh dhe ofron një zgjidhje të re përmes ofertës për deputetë të tjerë socialistë.

Deklarata, e cila është provokimi më i rëndë që i është bërë klimës së bisedimeve, për të cilat po investohet komuniteti ndërkombëtar, në të vërtetë reflekton dhe mentalitetin më antidemokratik të mundësisë me të cilin zoti Berisha përpiqet të shantazhojë opozitën. 4 Marsi nuk është as ndonjë datë që djeg mandate dhe as ndonjë kufi kushtetues për deputetët e mandatuar të opozitës.

4 Marsi është vetëm një shpikje për shantazh që Berisha ka prodhuar për të justifikuar përpjekjet e tij për të përçarë opozitën. Kriza politike nuk ka ardhur nga cilësia e 6 deputeteve të parë të listës së PS apo shkëlqimi i 65 deputeteve të dytë të asaj liste, por nga fakti që janë cenuar standardet e zgjedhjeve.

Për këtë shkak kriza do të zgjidhet kur shumica të pranojë hetimin dhe jo kur të zgjedhë vetë 65 deputetë që ajo mendon se i duhen asaj si opozitë e emëruar. Nëse ka ndonjë shans që opozita e tanishme dhe Edi Rama të marrin njëqind për qind mbështetje ndërkombëtare dhe kombëtare pa asnjë hezitim, është shans që shumica të tentojë të bëjë atë që thotë pa menduar gjatë zonja Topalli.

Ai është skenari më i keq për Berishën dhe alibia më e fortë politike për opozitën të zgjedhë rrugën më radikale pa kthim duke e futur vendin ndoshta në krizën më të thellë që do të njohë ndonjë herë në demokraci. Fakti që Berisha përdor për të shantazhuar opozitën, Kryetaren e Parlamentit, e cila frustrimet që i vijnë nga rrezikimi i karrierës së saj brenda PD-së kërkon t'i kthejë në problem kombëtar, e dëmton parlamentarizmin shqiptar edhe më shumë se sa bojkoti.

Fakti që ne kemi një kryetare parlamenti, e cila çështjen e demokracisë dhe parlamentarizmit, e lidh me numra, me bordero, me makina dhe shoferë, e jo me parime politike, është shenja e parë që parlamentarizmi ynë ka rrëshqitur në batak.

Nga ana tjetër ky shantazh që na turpëron edhe si i tillë, i jep të drejtën morale opozitës të zgjedhë rrugët ekstreme të presionit mbi shumicën për të realizuar kërkesën e saj, duke e çuar dhe më tej krizën në vend. Por mbi të gjitha 4 marsi dhe shantazhi i Berishës me të janë dhe një shpikje tjetër antikushtetuese në emër të Kushtetutës.

Berisha, i cili ka thyer rekorde të shkeljes së Kushtetutës dhe Kushtetutshmërisë në këtë vend, gjatë këtij mandati, para se të lëshojë rrugëve zonjën Topalli në rolin e "Tellallit" të Kushtetutës, duhet t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të interpretuar ligjshmërinë e shantazhit të tij.

I bindur se është ai që po shkel kushtetutën qoftë dhe duke bërë shantazh me të, Berisha në të vërtetë po vetëzgjedh rrugën më të keqe, tek e cila duan ta drejtojnë kundërshtarët e tij, te tradita e tij e keqe e emërimit të opozitës dhe eliminimit të saj përmes opozitës së emëruar. Kaq shumë dëm kundër tij, sa ç'po bën ai vetë dhe ndihmësit e tij, nuk mund të bënte asnjë koalicion opozitarësh.

(*) Dërguar nga autori, qëndrimet janë personale

KOMENTE