Hania, Greqi, 10 Shkurt NOA - Një djalë pesë vjeçar i cili jetonte me familjen e tij në Greqi, humbi tragjikisht jetën pasi ra nga krevati duke përplasur fatalisht kokën në lojë e sipër me vëllanë.
Ngjarja ndodhi në lokalitetin Muzura Akrotiriu në afërsi të Haniasë në Greqi, informon korrespondenti i agjencisë NOA.
Fëmija gjendej bashkë me vëllanë më të vogël duke luajtur në dhomën e tyre dhe në një moment i vogli ka dashur të dalë nga krevati por ka rënë dhe përplasja e kokës me dyshemenë ka qenë vdekjeprurëse.
Një mjek amerikan fqinjë me familjen shqiptare, rendi në vendngjarje kur dëgjoi klithmat e familjarëve dhe u përpoq ta ndihmojë ndërsa e transportoi menjëherë në spitalin shtetëror EKAV.
Megjithë përpjekjet e bëra, i vogli shqiptar ndërroi jetë pak minuta më vonë, për shkak se goditja kishte shkaktuar hematomë të brendshme në kokë me pasojë vdekjen.
n.s/e.r/NOA