English

Vendimi: Si ndryshojnë kriteret e marrjes së titujve akademikë

Tiranë, 10 shkurt, NOA - Këshilli i Ministrave përmes një vendimi të posaçëm që mori sot, përcaktoi disa ndryshime në mënyrën sesi përzgjidhet dhe kualifikohet personeli akademik. Kështu, brenda tij përcaktohet fakti se "universitetet të cilat kanë të drejtë të promovojnë personelin akademik për titullin "profesor" janë ai i Tiranës, Politeknik, Bujqësor, Akademia e Arteve të Bukura, Akademia e Kulturës Fizike dhe Sporteve si edhe qendrat kërkimore-shkencore, me status të krahasueshëm me atë të një universiteti, shoqëruar edhe me institucionet e arsimit të lartë që kanë të drejtë të promovojnë personelin akademik për titujt "Profesor i Asociuar", të cilat janë institucionet e arsimit të lartë publik".

"Për organizimin dhe drejtimin e kualifikimit, shkencor e pedagogjik, pas doktoratës, në fakultetet e institucioneve të arsimit të lartë ngrihet këshilli i profesorëve ku bëjnë pjesë të gjithë profesorët me kohë të plotë të fakultetit. Numri minimal i anëtarëve të KP-së është shtatë veta, nga të cilët, së paku, pesë janë "Profesorë". Një ose dy anëtarë të KP-së janë "Prof. Asoc.", të punësuar me kohë të plotë, në fakultetin në fjalë ose fakultete të tjera të universitetit, që janë në prag të promovimit për titullin "Profesor", parashikon më tej vendimi.

Ndërsa shton edhe "promovimi për titullin "Prof. Asoc." bëhet nga KP-të e fakulteteve të institucioneve të arsimit të lartë publik (më tej universitetet), me kërkesë të vetë kandidatit/es".

Në fund, vendimi parashikon që komisioni vlerësues harton një raport përfundimtar vlerësues për veprimtarinë botuese dhe aftësitë pedagogjike të kandidatit/es, së bashku me rekomandimin për dhënien ose jo të titullit. Raporti i dërgohet titullarit të institucionit, i cili ia përcjell atë, së bashku me dosjen përkatëse, kryetarit të Komisionit të Vlerësimit të Titujve Akademikë.

n.e/NOA

KOMENTE