English

Zv/presidenti i Parlamentit Evropian Ramës: Të kryhet hetimi për zgjedhjet

Tiranë, 10 shkurt, NOA - Eshtë shumë e nevojshme që të kryhet hetimi për zgjedhjet e 28 qershorit, në mënyrë që kjo t'i shërbejë së ardhmes, më shumë se asaj që ka kaluar, për të mos patur më probleme me zgjedhjet në vend.

Një fakt të tillë kryesocialistit Edi Rama ia ka bërë me dijeni vetë zv/presidenti i Parlamentit Evropian, Libor Roucek, sipas të cilit është e rëndësishme gjithashtu për opozitën që pas këtij kompromisi të futet në parlament dhe të vazhdojë rrjedhën normale opozitare.

"Kjo do të ishte një rezultat shumë i mirë për të gjithë, veçanërisht për popullin shqiptar. Por nuk më takon mua t'u them politikanëve shqiptarë se çfarë duhet të bëjnë. Ndoshta hapja e një pjese të kutive, në zona të ndryshme, pra hapja e disa kutive në çdo zonë edhe kjo mund të ishte një zgjidhje", tha më tej përfaqësuesi evropian lidhur me krizën politike në vend.

Nga ana e tij, kryesocialisti Rama i shoqëruar në Strasburg nga deputetët Arta Dade, Taulant Balla dhe Arben Ahmetaj, i ka bërë me dijeni Roucekut domosdoshmërinë që paraqet sipas tij "transparenca e plotë mbi procesin e shkuar zgjedhor për të mos lejuar më që procesi i ardhshëm zgjedhor të jetë i ngjashëm me të shkuarin për t'i dhënë fund korrupsionit elektoral".

"Transparenca e plotë, duke përfshirë edhe hapjen e kutive të votimit, materialeve zgjedhore, për të bërë të mundur që populli shqiptar të shikojë dritën e diellit, çfarë ka ndodhur para, gjatë dhe pas 28 qershorit dhe njëkohësisht për të krijuar kushtet që administrata zgjedhore në të ardhmen të garantojë vullnetin e popullit dhe çdo komisioner të mos jetë thjesht komisioneri i forcës që përfaqëson por qytetari që përgjigjet para ligjit për respektimin e tij në procesin më të rëndësishëm të demokracisë, siç është ai i zgjedhjeve", mësohet të jetë shprehur Rama në takimin e përbashkët në Strasburg.

n.e/NOA

KOMENTE