English

Berisha në Itali: Ambicia jonë, të jemi superfuqi energjetike

Verona, 11 shkurt, NOA - Ambicja kryesore e Shqipërisë është që të kthehet në një superfuqi energjetike rajonale, që do të thotë se ajo është e vendosur të vërë në përdorim të gjitha burimet që do ta shndërrojnë atë në një eksportues të madh të energjisë. Një fakt të tillë mbi perspektivën energjetike të vendit tonë, kryeministri Berisha e bëri me dijeni gjatë pjesëmarrjes në Forumin mbi Investimet në Evropën Juglindore, në Verona, ku së bashku me ministrin e Ekonomisë Claudio Scajola dhe zv/ministrin Adolfo Urso mbajti një konferencë për shtyp.

"Unë kam qenë përherë i bindur që Shqipëria dhe rajoni i Ballkanit përfaqësojnë një treg me interes shumë të madh për investitorët italianë. Ne, në Shqipëri jemi duke bërë gjithçka, jemi duke aprovuar çdo ligj, jemi duke marrë e aprovuar çdo vendim për të krijuar klimën më të favorshme për investimet e huaja në të gjitha fushat. Ne kemi vuajtur nga kriza ekonomike botërore, por nuk shkuam në recesion ekonomik", mësohet të jetë shprehur Berisha gjatë saj.

Ndërkaq, lidhur me interesin e mediave italiane për vizionin e dy qeverive për t'iu kthyer energjisë nukleare, kryeministri Berisha u shpreh se vizioni i qeverisë shqiptare për ta kthyer vendin në një eksportuese të energjisë, pritet të mbështetet edhe nga sipërmarrjet italiane.

Ndërsa Scajola do të shprehej se "Italia përfshihet në projektet nukleare, sepse beson në to".

"Dhe ashtu siç po orientohen vendet në të gjithë botën, ajo beson se energjia e pastër për të mbrojtur ambientin dhe energjia me kosto të qëndrueshme në Evropën qendrore do të thotë rikthim në energji nukleare për prodhimin e energjisë elektrike për përdorim civil. Po ndodh në të gjitha vendet. Janë aktualisht 60 projekte në botë në rrugë për të marrë autorizimin. Italia është i vetmi vend i G8 - ës që nuk prodhon energji elektrike nga burimet nukleare. Kemi ndërmend ta prodhojmë vetë atë duke rikuperuar traditën tonë teknologjike dhe industriale në bashkëpunim me Francën, SHBA-në dhe Rusinë", tha më tej ai.

n.e/NOA

KOMENTE