Verona, 11 shkurt, NOA - Kryeministri Berisha, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Itali, zhvilloi një takim të veçantë me ministrin italian të Ekonomisë, Claudio Scajola, në Pallatin e Prefekturës së Veronës, në prani edhe të ministrit shqiptar të Ekonomisë, Dritan Prifti. Burimet zyrtare bëjnë me dijeni se në këtë takim u diskutua gjerësisht për bashkëpunimin dypalësh në fushën e energjisë.Nga ana e tij, ministri italian Scajola ritheksoi edhe njëherë rëndësinë e Shqipërisë si partnere e rëndësishme e Italisë në zhvillimin e burimeve të prodhimit të energjisë së rinovueshme.
"Mbështetja e qeverisë italiane ndaj këtyre projekteve është e padiskutueshme, si dhe mbështetja për projektin e linjës së interkonjeksionit nënujor Shqipëri -Itali", tha ai.
Por sipas tij, qeveria italiane gjithashtu mbështet edhe projektet e ardhshme, private e publike, në fusha të ndryshme me interes të përbashkët.
Ai theksoi se politikat dhe strategjitë e të dy qeverive në fushën e energjisë konvergojnë dhe Italia do të vazhdojë të kryesojë iniciativa rajonale në këtë drejtim.
Ndër të tjera, Scajola i vuri në dukje kryeministrit se ai dhe qeveria italiane janë të impresionuar me sukseset e ekonomisë shqiptare, në kushtet e krizës globale.
Kurse kryeministri Berisha, pasi falënderoi qeverinë italiane për mbështetjen e vazhdueshme të të gjitha iniciativave dhe reformave të ndërmarra në vend, ritheksoi rëndësinë dhe fokusimin në koordinimin e punës për të çuar drejt suksesit projektet në fushën e energjisë së rinovueshme.
Ai i shprehu edhe njëherë ministrit Scajola ambicien dhe objektivin e qeverisë shqiptare për ta kthyer Shqipërinë në një nyjë strategjike për prodhimin e energjisë së rinovueshme dhe eksportimin e saj, gjë që ndihmon në zhvillimin e qëndrueshëm dhe me standarde të larta ambjentaliste të ekonomive të rajonit, përfshi Italinë dhe që garanton furnizimin e pandërprerë të ekonomive dhe popullsisë me energji, pavarësisht konjukturave ndërkombëtare të tregut, si dhe ofron energji me kosto të ulët për popullsinë dhe ekonominë.
Kryeministri theksoi se mbështetja e projekteve italiane në fushën e energjisë hidrike dhe të erës, nëpërmjet garancisë financiare nga Instituti Italian për Garantimin e Investimeve të Huaja, për këto projekte, do të përshpejtojë financimin dhe implementimin e tyre.
Më tej, Kryeministri theksoi që zhvillimi i vrullshëm i sektorit energjetik në Shqipëri e bën të domosdoshme linjën e interkonjeksionit nënujor Shqipëri - Itali, si arterie e domosdoshme e lidhjes së tregut shqiptar me atë europian, nëpërmjet Italisë. Përfitimet janë të gjithanshme, prandaj sinergjia e të dy qeverive në këtë drejtim është garanci e suksesit edhe në projektet e tjera.
Kryeministri shprehu nevojën e bashkëpunimit me qeverinë italiane, në mbështetje dhe të projekteve të tjera italiane në fushat e fasonit, parqeve industriale, e sektorë të tjerë.
n.e/NOA