English

G99: KQZ, organ i politizuar e inkompetent. Tryeza pa kutitë, si sofra pa bukë

Tiranë, 11 shkurt, NOA - Lëvizja G99 ka kundërshtuar me anë të një deklarate për shtyp qëndrimin e konfirmuar prej Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve për mosdhënien e aksesit të informimit mbi fletët e votimit për zonat e qarkut të Beratit dhe Tiranës.

Kjo në fakt ka qenë një kërkesë e bërë nga G99 ndaj këtij institucioni dhe në momentin e mohimit të saj, drejtuesit e kësaj lëvizje e kanë cilësuar KQZ si një organ të politizuar dhe incompetent.

"Së pari, dëshirojmë t'i kujtojmë z. Ristani se emërtesat "procesverbal votimi" dhe "tabelat dhe provesverbal të numërimit të fletëve të votimit", G99 i ka nxjerrë nga Kodi Zgjedhor. Është shumë shqetësuese që kryetari i KQZ-së nuk është në dijeni të përmbëjtjes së Kodit Zgjedhor, që është ligji themeltar mbi të cilin funksionon KQZ-ja", ka cituar kreu i G99, Erjon Veliaj.

Sipas tij, G99 nuk kërkon një kopje ‘juridike' të fletëve të votimit, por një kopje ‘fizike' të tyre.

"Ne e dimë shumë mirë se KQZ disponon një kopje fizike të fletëve të votimit, të cilat nuk janë asgjësuar. Neni 23, pika 1 dhe 2, e Kushtetutës, ligjit themeltar në Republikën e Shqipërisë, garanton të drejtën e informimit për çdo dokumentacion që disponon administrata shtetërore dhe institucionet e tjera të krijuara me ligj", thuhet më tej në deklaratën e Lëvizjes G99.

Në fund drejtuesit e kësaj lëvizje, i drejtojnë kreut të KQZ-së pyetjen se ëse fletët e votimit duheshin djegur, pse nuk i ka djegur KQZ ato?

"Nëse fletët do të ishin djegur, sigurisht që ne nuk do t'i kishim kërkuar. Sa kohë që nuk janë djegur, ne e dimë shumë mirë se nuk po kërkojmë një objekt që s'ekziston, por një bazë materiale fizikisht në dorë të KQZ-së", përfundon qëndrimi i G99 lidhur me një fakt të tillë.

n.e/NOA

KOMENTE