Tiranë, 11 shkurt, NOA - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka refuzuar kërkesën e paraqitur para pak kohësh nga lëvizja G99 në funksion të zbardhjes së të vërtetës së votimeve të 28 qershorit.
Bëhet fjalë për lajmin e botuar ekskluzivisht nga agjencia e Lajmeve NOA, sipas të cilit G99 i kërkoi përmes një letre Komisionit Qendror të Zgjedhjeve një kopje të procesverbaleve të votimit, tabelave dhe procesverbaleve të numrit të fletëve të votimit, dhe të gjitha fletët e votimit për të gjitha kutitë e votimit në ZAZ-të nr. 1, 2, 3 dhe 4 në Qarkun e Beratit, dhe ZAZ-të nr. 45, 46, 47, 48, 49, 50, 51, 52, 53, 54, 55, 56, 57, 58, 59 dhe 60 në Qarkun e Tiranës.
"E bazojmë këtë kërkesë në garancitë e ofruara përmes dispozitave të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Neni 23, pika 1 dhe 2, si dhe në dispozitat e ligjit Nr.8503, datë 30.6.1999 "Për të drejtën e informimit për dokumentet zyrtare", i cili na jep të drejtën të kemi akses në çdo "dokument zyrtar" pra në dokumente të çdo lloji të mbajtura nga autoriteti publik, në përputhje me rregullat në fuqi dhe që ka lidhje me ushtrimin e një funksioni publik. Fletët e votimit dhe materiali zgjedhor qartazi bën pjesë në këtë përkufizim ligjor të "dokumentit zyrtar", e argumentoi në atë moment këtë kërkesë, t kreu i G99, Erjon Veliaj.
Por duket se kjo kërkesë e G99 nuk ka gjetur përgjigje nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili është paraqitur kundër informimit mbi kopjet e fletëve të votimit të cilat mbahen në ruajtje prej tij.
"Ato duhet të ishin asgjësuar pas zgjedhjeve, ndaj teorikisht ato nuk ekzistojnë më", thuhet në sqarimin e KQZ, sipas shpjegimit që jep G99, duke shtuar se në fakt ato realisht janë nën ruajtjen e KQZ.
n.e/NOA