Bruksel, 11 shkurt, NOA - Diskutimi i çështjes së ndihmave për Greqinë mbi tejkalimin e krizës aktuale që ajo ka me buxhetin e saj pritet të mbledhë sot në Bruksel, presidentët dhe kryeministrat e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian. Deri tani nuk ka hollësi lidhur me planin për ndihmat, megjithëse paraprakisht ekziston ideja se ndihma bilaterale nuk do të ketë pasi në Bashkimin Evropian është e ndaluar që një shtet të blejë borxhet e një tjetri, ashtu sikurse është e ndaluar që BE të blejë borxhet e një vendi anëtar. E në të tilla kushte, nuk dihet sesi do të shkojnë sot këto bisedime.
Nga ana e tij, kryeministri socialist grek, Giorgos Papandreu ka kërkuar prej 16 vendeve anëtare të zonës së euros që Greqisë t'i mundësojnë marrjen e kredive.
Vetë qeveria greke ka premtuar se do të bëjë përpjekje që përmes kursimeve të zvogëlojë defiçitin rekord të vendit i cili është në kuotën prej 13 %.
Janë ndërkaq, parashikuar edhe zvogëlimet e rrogave të nëpunësve në shërbimet publike si dhe ndalimi i punësimit në këtë sektor.
n.e/NOA