English

Meta: Qeveria e përkushtuar për njohjen e Pavarësisë së Kosovës

Tiranë,11 shkurt, NOA- Qeveria dhe diplomacia shqiptare janë të përkushtuara për avancimin e procesit të njohjes së Pavarësisë së Kosovës. Kjo është garancia që dha Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta gjatë takimit të sotem me zëvendësministren e Jashtme të Kosovës, Vlora Çitaku.

Zhvillimet në Kosovë e rajon, ecuria e procesit të njohjes së Kosovës, ndihma dhe mbështetja për konsolidimin e institucioneve të saj, proceset integruese europiane e euroatlantike dhe marrëdhëniet dypalëshe ishin temat kryesore që u trajtuan në takim.

Lidhur me procesin e njohjes së pavarësisë së Kosovës, Meta, i rikonfirmoi Çitaku përkushtimin e plotë të qeverisë shqiptare.

Duke evidentuar rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, Ministri Meta shprehu gatishmërinë për të bërë të gjitha përpjekjet e duhura për të siguruar pjesëmarrjen e Kosovës në të gjitha forumet dhe projektet e bashkëpunimit rajonal.

Meta vlerësoi se; "Republika e Kosovës ka përshkuar në një kohë shumë të shkurtër një rrugë e cila ka lënë gjurmë të forta në themelet e këtij shteti dhe që është reflektuar edhe në njohjen ndërkombëtare dhe në progresin e institucioneve të Kosovës".

Në planin konkrete të bashkëpunimit, Meta dhe Çitaku konstatuan nivelin e shkëlqyeshëm të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Kosovës dhe shprehën angazhimin për intensifikimin e bashkëpunimit në fushat e infrastrukturës, energjitikës, tregtisë, turizmit, arsimit dhe kulturës, dhe investimeve të përbashkëta në këta sektorë.

xh/NOA

KOMENTE