English

Ministri Mediu: Të pezullohet për njëfarë kohe gërryerja e lumenjve për inerte

Tiranë, 11 shkurt, NOA - Shfrytëzimi i shtretërve të lumenjve për inerte, qoftë edhe nga firmat e licencuara, duhet të pezullohet për një periudhë kohe, ndërkohë që do të ndërmerret dhe një studim i gjerë për vlerësimin e situatës reale.

Një fakt të tillë e bëri me dijeni sot ministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Fatmir Mediu, në komisionin parlamentar për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin.

Mediu informoi anëtarët e komisionit për problemet e menaxhimit të shtretërve të lumenjve, studimin dhe projektimin e investimeve për argjinimin e brigjeve të tyre me qëllim disiplinimin e prurjeve të tyre dhe shmangien e përmbytjeve. "Shfrytëzimi i shtretërve të lumenjve për inerte duhet të bëhet në bazë të studimeve dhe kryesisht në burim të lumenjve apo përrenjve, ku dhe ka inerte më shumë. MMPAU ka propozuar ndërkohë ndërmarrjen e tre studimeve për parandalimin e gërryerjeve të lumenjve, të detit, si dhe për lumenjtë Buna dhe Drin", tha ndër të tjera Mediu.

Sipas tij, në studim duhet parë i gjithë hidrologjik që nga burimi, që nga liqeni i Ohrit në rastin e lumit Drin dhe kjo vlen për të gjithë lumenjtë. Nga ana tjetër, Mediu informoi gjithashtu për ngritjen e një Task-Force nga MMPAU për kontrollin e veprimtarisë në shtretërit e lumenjve, por edhe mbi vendimin e marrë në janar 2010 për ndalimin e shfrytëzimit të shtretërve për inerte.

"Kemi një problem mjaft të madhe që ka të bëjë me shfrytëzimin e inerteve në shtretërit e lumenjve, lidhen me shfrytëzimin pa kriter të këtyre lumenjve dhe nga firmat e licencuara dhe shfrytëzim të paligjshëm, në kundërshtim me vendimin e Këshillit Kombëtar të Ujit, të konstatuar jo vetëm nga ne, por dhe media", nënvizoi ministri Mediu, duke e konsideruar këtë çështje si prioritare për dikasterin që drejton.

Sipas tij, edhe pse ka vendim të qartë që nuk lejohet shfrytëzimi i inerteve nga periudha e nëntorit në një periudhë 6 mujore, në kundërshtim me këtë vendim, vazhdohet të shfrytëzohen inertet.

Sa i takon pasojave mjedisore në zonën e Shkodrës, të shkaktuara nga përmbytjet në muajin janar, lidhen kryesisht me përzierjen e ujërave të lumenjve me ato të zeza të kanaleve dhe gropave septike, bëri të ditur ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu. Sipas tij, "në zonë ka ndotje nga mbetje të ngrurta urbane, por në mënyrë të veçantë sidomos mbetjeve plastike".

Ndërsa duke u ndalur në ndërhyrjet sa i takon pyllëzimeve në shtretërit e lumenjve dhe ndërtimit të argjinaturave, Mediu theksoi se "së bashku me ministritë e tjera kemi planifikuar drejt sa i përket pyllëzimeve në të gjithë shtretërit e lumenjve për të shmangur erozionin.

n.e/NOA

KOMENTE