English

Nobelisti egjiptian në shqip me "Natën e njëmijë e një netëve"

Tiranë, 11 shkurt, -NOA"Unë jam bir i dy qytetërimeve që në një kohë të caktuar kanë bërë një martesë të lumtur. I pari, shtatë mijë vjeçar, është qytetërimi faraonik; i dyti, një mijë e katër qind vjeçar, është ai islamik...Ishte fati im, zonja dhe zotërinj, të lindja në prehrin e këtyre dy qytetërimeve, dhe të thithja qumështin e tyre, të ushqehesha me letërsinë dhe artin e tyre. Me pas piva nektarin e kulturës suaj të pasur e mahnitëse. Nga frymëzimi i gjithë kësaj-si edhe ankthet e mia personale-prej meje rrodhën fjalët", u tha Nagib Mahfouz të ftuarve në ceremoninë e Nobel-it...

Duhej të bëhej i njohur më shumë për auditorin shqiptar autori egjiptian dhe ndaj botuesi i ZENIT-it,Krenar Zejno, si zakonisht nuk ka hezituar. Nagib Mahfouz, Nobeli i vitit 1988, është për publikun shqiptar me një libër të këndshëm dhe një nga më të mirët e tij: "Nata e njëmijë e një netëve".

Këtë mision, e ka kryer me sukses përkthyesi i njohur Hysen Sinani. Përfundimisht, në Koleksionin Orientim të Zenit, bashkohet dhe Mahfouz, një nga autorët më të mrekullueshëm të kohës sonë me librin e njohur të tij. Nata e një mijë e një netëve , që literatura e përmend si një pjesë shoqëruese e vetë librit të madh të Njëmijë e një netëve përfshihen edhe shumë nga karakteret e tilla si Shahryar, Scheherazade dhe Aladdin, që janë dhe në librin e madh të trashëgimisë botërore. Mahfouz, në historinë e letërsisë, do të mbahet si një eksplorues i këndshëm dhe u bë i njohur për ekskursionin e tij të gjatë në psikologjinë arabe. Ai arriti që ta fshehë me shumë kujdes gjykimin e tij politik nën alegorinë dhe simbolizmin. Kurse grishja e këtij libri është që edhe ne endemi dhe mësojmë përmes syve të personazheve atë botë. Një të tillë që gjithmonë s'është shumë e prekshme për ne. Ashtu si është kjo botë e tillë e madhe, kultura arabe, me një kulturë aq të madhe dhe po aq shumë mbresëlënëse.

Për fat, fjalët e tij tashmë rrjedhin dhe shqip nën një përkthim të pastër dhe të gjetur të Sinanit, që na e bën më të lehtë këtë rrugëtim në letërsinë e këtij egjiptiani të shquar.

Milena Selimi/NOA

KOMENTE